Arrestohet një person në Lipjan, dyshohet për sulm seksual ndaj një të miture

Një burrë në Lipjan është arrestuar nga Policia e Kosovës më 04.06.2024, pasi po dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”, ndaj një të miture.

Në raportin 24 të Policisë është bërë e ditur se rastin në Polici e ka raportuar një burrë tjerër.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe dyshon se ka shkuar tek shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar”- thuhet në raport.

Në lidhje me këtë rast, Policia njofton se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje ndërsa viktima me dëshirën e saj është kthyer në shtëpi.

Ndërkaq, në një përgjigje për KALLXO.com nga Prokuroria Themelore e Prishtinës është theksuar se  Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e një personi të dyshuar, për shkak të veprës penale “Sulmi seksual”.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj tha se “meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera”.