Arrestohet një malazez i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar, se ka arrestuar një person të nacionalitetit malazez nën dyshimin për krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë në vitin 1999.

I dyshuari M.D., sipas Prokurorisë është nga Vitomerica e Pejës.

Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës 7 maj të vitit 1999 në regjionin e Pejës, ku dyshohet se u vranë 9 civilë të nacionalitetit shqiptarë dhe janë zhdukur 5 persona të tjerë, po ashtu civilë shqiptarë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinion publik se, pas një pune hetimore disamujore nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, sot, me datën 27.06.2022 ka arrestuar shtetasin M.D. nga fshati Vitomiricë, Komuna e Pejës, i nacionalitetit malazez, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për t’u dërguar para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, brenda afatit ligjor, thekon Prokuroria Speciale.

Në luftën e fundit në Kosovë, në vitet 1998-1999 nga forcat serbe u vranë mbi 13 mijë persona dhe mbi 800 mijë u zhvendosën.

Gati 23 vjet pas luftës, të zhdukur vazhdojnë të jenë mbi 1,600 persona.