Ilustrim, Foto nga KALLXO.com

Arrestohet ish-zyrtari i gjendjes civile në Prishtinë, pajisi me dokumente identifikimi persona të paregjistruar

Një ish-zyrtar i gjendjes civile në Prishtinë është arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Personi i arrestuar është M.B., tashmë i pensionuar.

Sipas komunikatës, personi i arrestuar dyshohet se gjatë punës së tij zyrtare, në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore, në disa raste me persona të ndryshëm, pa vërtetuar dhe verifikuar, në kundërshtim me të dhënat nga librat amzë të skanuar, personat e dyshuar i ka regjistruar në librat amzë kinse kanë qenë të regjistruar, dhe më pastaj të njëjtit i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile, kurse të dyshuarit kanë arritur të pajisen me dokumente identifikuese të Kosovës, si letërnjoftim dhe pasaportë me të dhëna të rreme me të cilat dokumente janë paraqitur në shtetet perëndimore.

Personi i dyshuar dyshohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar  dhe me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë së Prishtinës, Departamenti i krimeve të rënda, të njëjtit i caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve.

Raste janë iniciuar edhe për katër persona të tjerë të involvuar nën dyshimet për kryerje të veprave penale – falsifikim i dokumentit dhe  -legalizim i përmbajtjes së rreme, për procedurë të mëtejme.