Arrestohet edhe një i dyshuar për spiunazh, Prokuroria Speciale jep detaje

Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës, kanë arrestuar më 26.06.2024 një person që po dyshohet për spiunazh.

Arrestimi ka ndodhur në regjionin e Mitrovicës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës  ka arrestuar një person”- thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit bëhet fjalë për të dyshuarin A. V. I njëjti me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe për momentin nga Policia e Kosovës janë duke u kryer bastisje në banesën e të dyshuarit.

Në fillim të këtij muaji, më 05.06.2024, dy persona janë arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për spiunazh.

I dyshuari i parë Bedri Shabani ishte pjesëtar i Doganës së Kosovës deri në vitin 2004, kur edhe ishte shkarkuar për shkak të komunikimit të paautorizuar me mjetet e informimit masiv, kurse i dyshuari tjetër është Muharrem Qerimi. Sipas burimeve të KALLXO.com ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në vitin 2011.

Dy të dyshuarve u ishin gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

Gjykata e Prishtinës, më 06.06.2024, u kishte caktuar masën e paraburgimit Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit.

Çka nënkupton spiunazhi dhe si rregullohet ai në Kodin Penal?

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ai renditet në nenin 124 të këtij Kodi dhe nënkupton disa situata ku ndër to është: kur sekreti shtetëror i komunikohet, dorëzohet, apo i bëhet i arritshëm shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre.

Sipas kësaj, dënueshmëria minimale është 5 vjet burg, kurse maksimalja është 12 vjet.

Ky nen në paragrafët e tij parasheh edhe situata të tjera dhe dënueshmëri të ndryshme:

– Kushdo që për shtetin apo organizatën e huaj krijon shërbimin informativ në Republikën e Kosovës apo drejton shërbimin e tillë, dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim;

– Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se 5 vjet burg

– Kushdo që mbledh të dhëna apo dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia komunikojë dhe dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vjet.

Nëse këto vepra penale kryhen dhe shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, kryesi dënohet me burgim jo më pak se 10 vjet.

Kurse, nëse këto vepra penale kryhen gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo zbulimi i sekretit shtetëror ka të bëjë me sigurinë e Republikës së Kosovës, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Sekreti shtetëror, sipas Kodit Penal, për qëllime të këtij kapitulli që trajton këto vepra, nënkupton të dhënat apo dokumentet ushtarake, ekonomike apo zyrtare të cilat janë shpallur si informata të klasifikuara me ligj apo me dispozita ose vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjin.

Dosja ndaj të dyshuarëve për spiunazh – ‘Kanë udhëtuar shpesh në Serbi’