Kontrabanda me mallra në Leposaviq | Foto: KALLXO.com

Arrestohen dy shtetas serbë, dyshohen se kontrabandonin mallra nga Serbia në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas të Serbisë, në fshatin Koshuticë të Leposaviqit nën dyshimin se kanë kontrabanduar mallra përmes rrugëve ilegale nga Serbia në Kosovë.

Në njoftim thuhet se Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare “Veriu” sot rreth orës 5:30 të mëngjesit, ka ndaluar dy automjete me mallra të kontrabanduar.

Në njërin automjet kanë gjetur produkte të qumështit dhe të miellit, ndërsa në tjetrin pantallona, kërpudha dhe gazeta të mediave të shkruara të Serbisë.

Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe janë iniciuar rastet “Kalim i paautorizuar i vijës kufitare apo vendkalimeve kufitare” dhe ”kontrabandim me mall”.

Policia e Kosovës njofton se mallrat dhe automjetet janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor.