Foto: REL

Kryetari i Preshevës nuk takon Bislimin e Nagavcin: Nuk jam i kënaqur me qasjen në dialog

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi nuk ka pranuar që të takojë zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin dhe Arbërie Nagavcin, ministre e Arsimit.

Bislimi e Nagavci po qëndrojnë në Luginën e Preshevës në një vizitë zyrtare gjatë së hënës.

Në një deklarim për KALLXO.com, Arifi ka thënë se nuk pajtohet me qasjen e partisë e cila është në pushtet. Sipas tij, Vetëvendosje ka injoruar Komunën e Preshevës.

“Është e vërtetë se nuk i takoj për shkak se kanë bërë një injorim total të Komunës së Preshevës”, tha ai.

“Plus, janë këto politikat e Vetëvendosjes të cilat janë duke i vendosur prej kur ne kemi hy në pushtet lokal dhe këta kanë për qëllim që unë me u bë skllav politik i atyre dhe mos me i kritiku e mos me kërku sepse unë nuk jam i kënaqur me politikat e tyre ndaj Luginës së Preshevës”, deklaroi kryetari i Preshevës.

Ai ka përmendur edhe një premtim të ekzekutivit kosovar për Luginën e Preshevës.

“2 milionë eurot ende nuk i kanë dërguar e jemi në fund të vitit dhe sidomos nuk jam i kënaqur me qasjen që e kanë përdorur në dialog”, tha Arifi.

“Këto trika, mekanizma të lodhëta që janë tu i përdorur me anashkalu Preshevën dhe neve si udhëheqës, janë çështje që bazohem. Këto, nuk i ndihmojnë  Luginës në këtë situatë ku jemi, për me qenë më të unifikuar”, ka vlerësuar Shqiprim Arifi.

Sot gjatë ditës, në Kosovë po qëndron në një vizitë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Jarinjë, kontrolle speciale para vizitës së Bërnabiq – VIDEO

www.kallxo.com