Arbnora Salihu, kryetare e Rinisë Demokratike të Kosovës. Foto: PDK

Arbnora Salihu zgjidhet kryetare e Rinisë së PDK-së

Rinia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot konventën e 7-të zgjedhore, ku me shumicë votash kryetare të tyre kanë zgjedhur Arbnora Salihu.

Salihu, 24-vjeçare ka diplomuar për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa vijon studimet Master në drejtimin “Politika Publike dhe Menaxhimi”.

Ajo, sipas një komunikate të PDK-së, në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2021, ka fituar një vend në Kuvendin Komunal pa kuotë gjinore si asamblistja e re më e votuar.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u tha se ka shprehur se me këto zgjedhje, kjo parti po nis një mandat të ri, por edhe një cikël të ri politik, që po shpërndahet në tërë Kosovën.

“PDK-ja dhe të rinjtë e saj, jo vetëm që po nisin një mandat të ri, por edhe një cikël të ri politik.  Ky cikël i ri politik që nisë me këto zgjedhje të rinisë, është para së gjithash një fillim politik për zërin tuaj. Prandaj, ky është momenti i juaj” – thuhet të ketë thënë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, e veçanta e këtyre zgjedhjeve është zhvillimi i një procesi krejtësisht digjital të regjistrimit e të garimit, ku për herë të parë, një numër rekord i vajzave kanë garuar për pozita udhëheqëse.

“Ne kemi zhvilluar një proces krejtësisht digjital të regjistrimit e të garimit, duke sjellë inovacionin që ju e kërkoni edhe në organizatën tonë rinore. Për herë të parë, një numër rekord i vajzave kanë garuar për pozita udhëheqëse dhe tani 40 për qind e të gjithë kryetareve të degëve janë pikërisht vajza” – është shprehur Kryetari i PDK-së duke shtuar se ky është një shembull fantastik i përqafimit organik të platformës sonë Bashkë 50/50 për barazi të plotë gjinore.

Kreu i PDK-së tha se ky proces zgjedhor i zhvilluar nën slloganin “TI Ki Za” është një thirrje për angazhim, në një periudhë të migrimit masiv të të rinjve si pasojë e një qeverisjeje depresive.

Tutje është thënë se Krasniqi është shprehur se Partinë Demokratike të Kosovës e definon guximi për të ëndërruar.

Ai po ashtu njoftohet të ketë thënë se rinia është forca që e ndryshon Kosovën, sepse sipas tij askush më mirë se ata nuk mund ta portretizojë Kosovën që duan dhe, sipas Krasniqit, adresa e tyre është PDK.

Në anën tjetër, kryetarja e sapo zgjedhur e RDK-së, Arbnora Salihu ka falënderuar delegatët për besimin, duke thënë se do të punojnë së bashku për një të ardhme edhe më të ndritur.

Ndërsa, kryetari i deritashëm i RDK-së, Donjet Bislimi po ashtu ka falënderuar bashkaktivistët me të cilët kanë rrugëtuar, e të cilët i ka quajtur katalizatorë të sukseseve.

Në njoftim është thënë se RDK-ja ka zgjedhur edhe anëtarët e Këshillit Drejtues i cili përbëhet nga 38 vajza e 38 djem që shënon edhe përmbushjen e vizionit të ri të kryetarit të tyre, Memli Krasniqi për barazi të plotë gjinore 50/50.