Arbisa Shefkiu - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Arbisa Shefkiu: Pamjet në Pejë tregojnë se një mësimdhënës mundet në mënyrë të pavetëdijshme të stigmatizojë e bullizojë

Gazetarja e KALLXO.com, Arbisa Shefkiu, ka thënë se pamjet që tregojnë lënien anash të nxënësve të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian në Pejë tregojnë se mësimdhënësi mundet në mënyrë të pavetëdijshme të stigmatizojë nxënësit.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se ende nuk është e qartë kush janë këta nxënës pasi ka pasur deklarata të ndryshme për ta.

“Kjo foto tregon se në njëfarë forme një mësimdhënës mundet në mënyrë të pavetëdijshme të stigmatizojë dhe të bëhet pjesë e bullizmit te disa nxënës. Për këtë foto ka pasur deklarata të ndryshme se kush janë këta nxënës, nuk është ende e qartë”, ka thënë Shefkiu,

Sipas saj, ka pasur deklarime që nxënësit janë të riatdhesuar, por kjo nuk do të thotë që ata të përjashtohen nga aktivitete të shkollës.

 “Ka pasur deklarime po ashtu që nxënësit janë të riatdhesuar. Kjo nuk do të thotë që ata duhet të përjashtohen prej festës ose procese tjera brenda shkollës”, shtoi ajo.

Shefkiu tutje potencoi se në bazë të një hulumtimi për nxënësit e riatdhesuar, prej 23 mijë mësimdhënëseve, vetëm 10 % kanë qenë pjesë e trajnimeve për trajtimin e tyre.

“Një hulumtim që e kemi bërë vitin e kaluar për nxënësit e riatdhesuar ka treguar që prej rreth 23 mijë mësimdhënësve vetëm 10 % prej tyre kanë qenë të përfshirë në trajnime që kanë të bëjnë me nxënes të riatdhesuar”, shtoi Shefkiu.

Ajo potencoi se këto trajnime do duhej organizuar nga Ministria e Arsimit e jo organizata joqeveritare.

“Këto trajnime do duhej të organizoheshin nga MASHTI dhe të përfshihen të gjithë mësimdhënësit e jo të merren organizata pasi nuk dihet në cilat shkolla mund të shkojnë këta nxënës të riatdhesuar. Kjo për shkak se nëse një nxënës e ka një problem si shkak i zonës së konfliktit prej ku mund të ketë ardhur, mësuesi nuk do dijë si t’i qaset”, ka thënë Shefkiu.