Arben Vitia: Deri më tani nuk ka asnjë efekt anësor nga vaksina

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vizituar palestrën “1 Tetori”, ku ka filluar vaksinimi i qytetarëve mbi moshën 85-vjeç.

Ai para mediave tha se i gjithë procesi po shkon mirë dhe se deri tani nuk ka pasur ndonjë efekt anësor nga vaksina AstraZeneca.

“Siç mund të jeni të informuar personeli shëndetësor ka përfunduar vaksinimin dhe sot kemi filluar me personat mbi moshën 85-vjeçare. Mora vesh që gjithë procesi po shkon mirë. Një nga lajmet e mira që mora për ekipin që më së paku ka pasur punë është ai i mjekësisë urgjente, pasi nuk ka pasur asnjë efekt anësor,” ka thënë Vitia.

Ministri Vitia u bëri thirrje qytetarëve që janë mbi 80-vjeç të paraqiten për vaksinim. Ai shtoi se do ketë edhe ekipe mobile që do shkojnë nëpër shtëpi për të kryer vaksinimin.

“Vaksina është e sigurtë dhe ftoj të gjithë qytetarët që janë mbi moshën 80 vjeçare të vaksinohen. Të gjithë ata që kanë pasur problem në aplikim do vaksinohen, do ketë edhe ekipe mobile që do shkojnë në shtëpi”, shtoi tutje Vitia.

Tutje ministri theksoi se kontingjenti i dytë i vaksinave pritet të vijë në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit maj.

“Vaksinat e tjera të këtij grupi pritet të vijnë në fund të prillit ose fillim të muajit maj, këto janë fjalë që kemi nga COVAX. Jemi në diskutime edhe me kompani prodhuese dhe shtete mike për vaksina. Nuk kemi ende ndonjë përgjigje definitive nga këto shtete”, theksoi Vitia.

Sot në Kosovë ka filluar vaksinimi i qytetarëve të moshës mbi 85-vjeç, e cila do zgjasë për tre ditë radhazi, pastaj do të fillohet vaksinimit i personave 80 deri 84-vjeç.

Vaksinimi në Kosovë ka filluar më 29 mars 2021, pasi që Kosova një ditë më parë kishte pranuar kontingjentin e parë të vaksinave “AstraZeneca” në kuadër të programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.