Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arben Gashi: Vazhdoj të flas me Vjosën, e kam shoqe

Ish-shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ka folur në “Kallxo Pernime” për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares së LDK-së.

Ai thotë se rrugët e Osmanit me LDK-në tashmë janë ndarë por thotë se ka raporte shoqërore me të.

“Kemi diskutuar disa herë. Kemi raporte shoqërore. Unë flas me Vjosa Osmanin e ekipin e saj. Kam shokë aty. Ka pasur në vazhdimësi një pakënaqësi në lidhje me zhvillimet. Jam mundu me ofru edhe unë edhe Kujtim Shala, por në fund rrugët u ndanë. Mendoj se Vjosa ka pasur ende hapësirë me vepru në LDK dhe mendoj se nuk do të ketë askund ma mirë se në LDK”, ths Arben Gashi.

“Kryesia nuk e ka përjashtuar nga partia, por vetëm e ka përjashtuar nga nënkryetarja. Tash kemi mbetur të dytë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së”, thotë ai.

Gashi thotë se nuk e di pse ka ndodhur kjo ndarje në LDK.

“Nuk e di pse ndodhi kjo. Edhe vet unë kam menduar ndryshe shpesh herë. Unë nuk jam rreshtuar mbrapa Isa Mustafës, por mbrapa LDK-së”, shtoi ai.

“Ndoshta rrugë tona bashkohen përsëri, nuk i dihet”, theksoi Arben Gashi.

“Secila palë ka shtyrë drejt asaj ndarje”, thotë Gashi për raportet e javëve të fundit para se Vjosa Osmani të shkarkohej nga partia.