Anxhela Peristeri. Foto: RTSH

Anxhela Peristeri do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion

Këngëtarja Anxhela Peristeri do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës, “Eurovizion 2021”.

Këngëtarja Peristeri ka marrë çmimin e parë në edicionin e 59-të Festivalit të Këngës në RTSH, me këngën, “Karma”.

Juria e festivalit ka vlerësuar me çmim të parë këngën, “Karma” të interpretuar nga Anxhela Peristeri , me tekst të Olti Currit dhe muzikë të Kledi Behatit,

Nata finale e “Fest 59-të” është mbajtur mbrëm në Tiranë dhe përveç çmimit të parë janë ndarë edhe disa çmime tjera.

Çmimi i dytë i “Fest 59-të” iu dha Sardi Strugajt, për këngën “Ka me t’ba me kajt”, me tekst të Sardi Strugajt dhe muzikë të Edesa Malçit.

Këngëtarja Festina Mejzini, mori çmimin e tretë me këngën “Kush je ti dashuri”, me tekst të Jorgo Papingjit dhe muzikë të Flamur Shehut.

Gjatë mbrëmjes finale të “Fest 59-të” u nda edhe çmimi i Bashkisë së Tiranës të cilin e mori Evi Reçi me këngën“Tjerr”, me muzikë të Olsa Toqi dhe teskt të Florian Zykës.