Murali "Andrrat e thyera"

"Andrrat e thyera", murali dedikuar grave të cilat janë vrarë nga partnerët e tyre

“Andrrat e thyera” është quajtuar murali, i cili i dedikohet të gjitha grave dhe vajzave të cilat u vranë nga burrat apo nga partnerët e tyre.

Ky mural u realizua në Prishtinë nga piktorja Fitore Berisha, në bashkëpunim me Qendrën për Studime Gjinore.

Murali ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së shoqërisë dhe institucioneve ndaj vrasjes së grave dhe vënien në pah të çështjeve të dhunës, stereotipeve gjinore prej ku justifikohet dhuna, me burim sistemin patriarkal në Kosovë.

Artistja dhe piktorja Berisha thotë se ka qenë e nevojshme që kryeqyteti i Kosovës të ketë një vepër arti që u dedikohet grave të cilat kanë humbur jetën në mënyrë të dhunshme por edhe janë ato të cilat vazhdojnë të jenë viktima të dhunës.

“Ky projekt synon të ngris vetëdijen për vrasjen e grave dhe të shërbejë si mjet për krijimin e një dialogu më të gjërë shoqëror rreth dhunës me bazë gjinore dhe vrasjen e grave”, ka thënë ajo.

Projekti është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe UN Woman.

Marigona Osmani, Sabile Mavrovqani, Zejnepe Berisha, Diana Kastrati, Hatije Dina, Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, e disa emra të tjerë janë viktima të partnerëve e bashkëshortëve të tyre, ngjarje këto që ndodhën ndër vite në Kosovë.

Para vrasjeve disa nga to përjetuan, dhunë fizike sistematike, tortura e maltretime për të cilat disa herë u kërkua edhe mbrojtja e shtetit.

Të dhënat zyrtare, tregojnë se gratë preken më së shumti nga dhuna në familje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për KALLXO.com se gjatë vitit 2021 janë raportuar 2 mijë e 456 raste të dhunës në familje, prej tyre mbi 1 mijë e 900 gra e vajza kanë qenë viktima të dhunës në familje.