Ambasadori Greiçevci bisedë me kryetarin e GJND-së në Hagë

Lirim Greiçevci, Ambasador i Kosovës në Holandë, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka njoftuar se sot ka zhvilluar një bisedë me Kryetarin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), me seli në Hagë, Gjykatësin Abdulqaëi Yusuf, për të reflektuar lidhur me vendimin historik për konstatimin e ligjshmërisë së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Ai thotë se Gjyqtari Yusuf ishte ndër dhjetë gjykatësit të cilin votuan në favor të këtij vendimi.

“Vendimi i GJND-së, përveç se vërtetoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, ai kishte konstatuar gjithashtu se Rezoluta e KS të OKB-së 1244 nuk e ndalonte shpalljen e pavarësisë, siç kishte kërkuar Serbia dhe aleatët e saj.

Në vijim të nxjerrjes së këtij vendimi, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e kishte pranuar dhe miratuar atë përmes një rezoluteje, duke e mandatuar edhe Bashkimin Evropian për t’i lehtësuar bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve. Kjo ishte një humbje tjetër e radhës e Serbisë sepse ajo kishte kërkuar që të rihapet çështja e statusit të Kosovës.

Kosova është gjithashtu përherë mirënjohëse për shtetet e shumta të cilat argumentuan me shkrim dhe gojarisht në favor të Kosovës si dhe ekipit tonë të shkëlqyeshëm ligjor”, shkruan ambasadori kosovar./RTK