Foto: Facebook

Ambasada britanike e shqetësuar nga emërimet në ndërmarrje publike para formimit të institucioneve të reja

Ambasada britanike ka mirëpritur shtyrjen e procesit të intervistimit për bordin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), por janë shprehur të shqetësuar për proceset e rekrutimit të bordeve dhe kryeshefave në ndërmarrje publike.

Ambasada ka sugjeruar që Qeveria në detyrë të shtyjë të gjitha vendimet dhe proceset e rekrutimit për zyrtarë të lartë derisa të formohen institucionet e reja.

“Ne e mirëpresim shtyrjen e procesit të intervistimit për Bordin e KEK-ut, por mbetemi të shqetësuar për proceset e rekrutimit të Bordeve të tjera të Ndërmarrjeve Publike dhe Kryeshefave Ekzekutiv të tyre. Ne besojmë se ato duhet të jenë transparente dhe të strukturuara mirë, dhe në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Ne fuqimisht sugjerojmë që Qeveria në detyrë të shtyjë të gjitha vendimet dhe proceset e rekrutimit për zyrtarë të lartë derisa të formohen institucionet e reja”, thuhet në postimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

5 mars 2021, KALLXO.com raportoi se Xhevdet Smakiqi, ish-kandidati për deputet nga Nisma Socialdemokrate, është zgjedhur kryeshef i Postës së Kosovës në mënyrë të kundërligjshme dhe në një konkurs jotransparent.

BIRN përkundër që ishte duke monitoruar konkursin për kryeshef, bordi i përkohshëm nuk e kishte ftuar të monitorojë procesin e vlerësimit të kandidatëve për kryeshef të Postës.

Në anën tjetër, KALLXO.com raportoi më 10 mars 2021 se përkundër kërkesës së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, bordi i përkohshëm i ndërmarrjes publike “Infrakos” sot ka marrë vendim për zgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv.