Ish-kandidati për deputet zgjedhet kundërligjshëm kryeshef i Postës

Xhevdet Smakiqi, ish-kandidati për deputet nga Nisma Socialdemokrate, është zgjedhur kryeshef i Postës së Kosovës në mënyrë të kundërligjshme dhe në një konkurs jo-transparent.

Smakiqi ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2019 nga partia e Fatmir Limajt, ndërsa ligji për Ndërmarrjet Publike kërkon që zyrtarët e lartë dhe bordi i ndërmarrjeve publike, nuk duhet të kenë të kaluar politike në 36 muajt e fundit.

Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës, i përbërë kryesisht nga persona të afërt me LDK-në, AAK-në dhe Nisma Socialdemokrate e kanë zgjedhur kryeshef Smakiqin në një konkurs që ishte jo-transparent. BIRN përkundër që ishte duke monitoruar konkursin për kryeshef, Bordi i Përkohshëm nuk e kishte ftuar të monitorojë procesin e vlerësimit të kandidatëve për kryeshef të Postës.

Shkelja e ligjit

Zgjedhja e Xhevdet Smakiqin në pozitën e kryeshefit të Postës është në kundërshtim me interpretimin e ligjit të Ndërmarrjeve Publike që e ka dhënë Zyra e kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik për rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për drejtor menaxhues të KEK-ut. Duke u thirrur në këtë interpretim, Bordi i KEK-ut e kishte eliminuar nga gara Blerand Stavilecin, ish-ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe këshilltarin e kryetarit të Kuvendit.

Me rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për drejtor menaxhues të KEK-ut, ka qenë dilema e Bordit dhe ekspertëve britanikë nëse edhe zyrtarët e lartë të Ndërmarrjeve Publike duhet t’i plotësojnë kriteret e pavarësisë, njëjtë sikur anëtarët e bordit të KEK-ut. Bordi i KEK-ut kishte kërkuar një interpretim të Ligjit për Ndërmarrjet Publike nga Zyra e kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, duke e pezulluar në atë kohë konkursin për kryeshef.

Interpretimi që kishte ardhur nga ZKM-ja e kishte lënë jashtë gare Blernad Stavilecin, ndërsa më vonë kryeshef ishte zgjedhur Njazi Thaçi.

Në opinion ligjor të lëshuar nga Zyra e kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik është theksuar se në nenin 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike thuhet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike.

“Në Ligjin për Ndërmarrjet Publike definohet qartë se një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse ‘është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike’”, potencohet në opinionin ligjor.

Sipas këtij opinioni, përkufizimi i termit “i emëruar politik” nënkupton personin i cili është emëruar ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur. Përcaktimi i termit i “emëruar politik” është bërë në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike që ishte bërë në vitin 2012. Smakiqi ka qenë i propozuar nga Partia Nisma Socialdemokrate si kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2019.

Zgjedhja tinëzare e kryeshefit

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtues (BIRN) kishte bërë kërkesë për monitorim të konkursit të shpallur nga bordi i përkohshëm i Postës për 4 pozitat e larta të ndërmarrjes. Bordi është përgjigjur pozitivisht, duke e lejuar BIRN për monitorim, mirëpo prapë nuk e kishte ftuar fare për monitorim të fazës së parë të rekrutimit: shqyrtimin e dokumentacionit të kandidatëve për të parë nëse i plotësojnë kriteret minimale të kërkuara në konkurs.

Shortlistimi është një prej fazave më të rëndësishme të një procesi të rekrutimit, meqë aty mund të eliminohen kandidatë që i plotësojnë kushtet apo me u thirrë në intervistë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet. Në pamundësi për të monitoruar, BIRN nuk ka informacione nëse ndonjë kandidat është favorizuar apo diskriminuar nga Bordi i Përkohshëm.

Përkundër faktit që nuk është ftuar në fazën e parë të rekrutimit, BIRN kishte pranuar të shkojë në monitorim të intervistave të kandidatëve për kryeshef të Postës, por edhe pozitat tjera të larta.

Në procesin e intervistimit morën pjesë gjashtë kandidatë. Koha për intervistimin e një kandidati ishte caktuar vetëm 20 minuta, por kishte raste kur ato kanë përfunduar para kohës. Në intervistat për drejtor të KEK-ut kohëzgjatja e intervistës ishte caktuar 1 orë.

Bordi i përkohshme nuk u ka parashtruar pyetjet e njëjta gjithë kandidatëve, një prej parimeve bazike që i aplikojnë ekspertët britanikë që ju ofrojnë asistencë institucioneve të Kosovës por edhe komisionet tjera vendore.

Gjatë parashtrimit të pyetjeve, njërin nga kandidatët e kanë pyetur për të kaluarën politike të tij. Por, nuk janë pyetur njëjtë edhe kandidatët e tjerë duke përfshirë Xhevdet Smakiqin që është zgjedhur kryeshef dhe ka qenë kandidatët për deputet në zgjedhjet e vitit 2019.

Për dallim nga proceset e përzgjedhjes të cilat organizohen me asistimin e britanikeve në këtë proces nuk u parashtruan pyetje të kompetencës, përmes së cilave do të tregohej përvoja e kandidatëve në menaxhimin e ndërmarrjeve.

Pas përfundimit të procesit të intervistimit sipas praktikës së deritanishme në konkurset për kryeshef të Ndërmarrjeve Publike duhet të bëhet poentimi i kandidateve në bazë të përgjigjeve të tyre mirëpo kjo nuk ndodhi. Pas përfundimit të intervistimeve, Bordi i Përkohshëm i kanë thënë monitoruesit të BIRN-in se do ta ftojnë në poentim që do të bëhet më vonë.

“Poentimi do të bëhet pasi të transkriptohet audioinqizimi i intervistave të kandidatëve ku do t’ju ftojmë me kohë”, kjo ishte përgjigja e njërin prej anëtarëve të Bordit kur është pyetur nga monitoruesi i BIRN-in se kur do të bëhet vlerësimi.

Poentimi i kandidatëve është pjesa kryesore e monitorimit të një konkursi, pasi aty pritet që të vlerësohet kandidati në bazë të përgjigjeve të dhëna para anëtareve të komisionit. Në konkurset që asistohen nga ekspertët britanik të angazhuar nga Ambasada Britanike poentimi i kandidatëve bëhet në prani të monitorueseve. Përveç kësaj, anëtarët e komisioneve vlerësuese janë të obliguar të japin sqarime dhe t’i arsyetojnë pikët e dhëna sidomos në rastet kur ka diskrepancë në vlerësim në mes të anëtarëve.

Por, Bordi i Postës së Kosovës vlerësimin e kandidatëve e ka bërë në mënyrë tinëzare dhe jo transparente, nuk e kanë ftuar BIRN me qenë i pranishëm në takimin e Bordit.

BIRN e ka pranuar një sqarim nga kryesuesi i Bordit të Përkohshëm të Postës së Kosovë, Leonard Shabanaj. Por, ai në përgjigjen e tij nuk ka treguar pse BIRN nuk është ftuar në takimin që është bërë poentimi.

“Procedura e intervistimit është zhvilluar në prezencën e monitoruesit tuaj dhe secili kandidat është vlerësuar me pikë në formularet e vlerësimit nga secili anëtar i Bordit. Sot në takimin e Bordit vetëm se janë lexuar pikët e secilit kandidat dhe është votuar kandidati që ishte më i kualifikuar dhe kishte arritur pikë më së shumti gjatë intervistimit”, ka thënë ai.

Por, ai ka premtuar se BIRN do të ketë qasje në procesverbalet e intervistimit dhe dosjet e kandidatëve.

“Ju keni qasje në të gjithë dokumentacionin e kësaj procedure të rekrutimit siç keni pasur nga fillimi i procedurës. (ju keni qasje të plotë në procesverbalet e intervistimit, dosjen e secilit kandidat, formularet e vlerësimit, pyetjet e komisioinit dhe përgjigjet e kandidatëve). Autorizoj nga ky moment U.D Sekretarin dhe Zyren për Informim që t’ju lejojnë qasje të plotë në dokumentacion”, ka shkruar Shabanaj.

Konkursi për Kryeshef Ekzekutiv; Zv. Kryeshef  Ekzekutiv; Këshilltar/e i/e Përgjithshëm/ Sekretar/e i/e Korporatës; Zyrtar/e Kryesor i Financave dhe Thesarit dhe Zyrtar/e për Auditim të Brendshëm është shpallur nga Bordi i Përkohshëm. Ky konkurs ka qenë i hapur deri me 15 shkurt 2021.

Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës është emëruar nga Qeveria Hoti me 19 tetor 2020. Në këtë Bord është emëruar Fadil Aliu – Hertica, ish-kandidatë i LDK-së për deputet në zgjedhjet e vitit 2017. Gjithashtu, në Bord është emëruar Leonard Shabani, ish-zyrtar i AAK-së në degën e Pejës, si dhe Elda Maloku është parë në tubimet e partisë Nisma Socialdemokrate.

Ministria e Ekonomisë dhe e Ambientit që ka obligim ligjor monitorimin e bordeve të Ndërmarrjeve Publike e ka lejuar Bordin që të vazhdojë me procedurat e rekrutimit, duke përdorur kështu standarde të dyfishta ndaj bordeve të përkohshme.

E njëjta ministri, në kohën kur udhëhiqej nga Blerim Kuçi kishte kërkuar me ngulm nga bordet e përkohshme të emëruara nga Qeveria Kurti të anulojnë konkurset për zyrtarë të lartë të ndërmarrjeve publike. Në muajin qershor 2020, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike në Kuvendin e Kosovës kishte thënë se ka rekomanduar Njësinë Monitoruese të Ndërmarrjeve Publike, që të pezullohen konkurset e kryeshefave dhe pozitave tjera të larta, pasi Ndërmarrjet Publike janë duke funksionuar me Borde të Përkohshme.

Por, tash ministria ka lejuar që konkursi për katër pozita të larta të Postës të vazhdojë.

“Një ndër përgjegjësitë e Bordit të drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike, është përzgjedhja e zyrtarëve të lartë të asaj ndërmarrjeje. Ne, si aksionar do të ushtrojmë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe rigoroze të veprimtarisë së Bordit të drejtorëve, por pa ndërhyrë në përgjegjësitë e tyre”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë për KALLXO.com.

Politika në Postën e Kosovës

Tre nga katër anëtarët e Bordit të Përkohshëm të emëruar nga Qeveria Hoti, kanë lidhje politike. Ndërsa, edhe kryeshefi i ri, ishte kandidat i njërës prej partive e cila është në koalicion me LDK.

Hulumtimi i KALLXO.com zbulon se Leonard Shabanaj, kryesues i Bordit të Përkohshëm në Postën e Kosovës ishte pjesë e partisë së Ramush Haradinajt, AKK-së. Ai ka thënë se qe një kohë më nuk është aktiv në politikë.

“Jo, aktualisht nuk jam pjesë e asnjë partie politike. Kam qenë para shtatë apo tetë viteve, kam qenë në struktura të rinisë. Jo, nuk ka të bëj me politikën çështja e zgjedhjes sime në bord”, ka thënë Shabanaj për KALLXO.com. Por, ndryshe tregon një fotografi e cila u postua nga Daut Haradinaj në tetor të këtij viti. Ai shihet në zyrat e AAK-së në Pejë, qytet prej nga vjen edhe ai.

Por, pasi është prezantuar fotografia, ai tha se takimi ishte i rastësishëm dhe vetëm për kafe.

Pjesë e politikës është edhe anëtari i bordit, Fadil Aliu. Ai ishte kandidat për deputet për partinë e cila është në pushtet, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në një bisedë për KALLXO.com, Aliu e pranon që ka qenë me LDK-në, ndërsa mohon se ndikoi partia e Isa Mustafës që ai të emërohet në bordin e përkohshëm.

“Po, kam qenë kandidat për deputet në vitin 2017, por aktualisht nuk jam pjesë aktive e asnjë partie. Unë jam profesionist e aktualisht s’jam aktiv në politikë. Nuk ka ndikuar politika që të jem anëtarë i Bordit të Përkohshëm, unë e kam pas kërkesë nga Qeveria që të shkoj si trup emergjent për me shku, me kfill gjendjen”, deklaroi ai.

Elda Maloku, anëtarja tjetër e bordit të përkohshëm të Postës është pjesë e politikës. Ajo fillimisht nuk e ka pranuar se është në partinë e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate, parti kjo e cila, po ashtu, është pjesë e pushtetit.

Foto: Rinia e Nisma Socialdemokrate/Facebook

“Unë nuk i përkas asnjë partie politike, nuk ka asnjë ndikim politika në punën që bëj. Gabim jeni, unë nuk jam. Nuk kam qenë asnjëherë pjesë e Nisma-s”, ka thënë ajo.

Por, kolegu i saj në bordin e përkohshëm dhe kryesuesi, Leonard Shabanaj e ka konfirmuar se në foto nga një mbledhje e partisë së Nismës është Elda Maloku.

Kryeshefi i ri Xhevdet Smakiqi ishte kandidat për deputet nga partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate në zgjedhjet e vitit 2019.

Kur ishte kontaktuar nga KALLXO.com, Smakiqi e kishte mohuar se partia e kishte favorizuar që të merrte pozitën e ushteruesit të detyrës së kryeshefit në Postën e Kosovës.

“Jo, nuk jam në Nisma. Që një vit nuk jam aktiv, në fakt zyrtarisht kam dhanë dorëheqje në shtator (2020), por aktiv në politikë nuk jam që një vit. Nuk jam as në AAK, as anëtar as lidhje nuk kam. Para dy-tre jave jam zgjedhur kryeshef, nuk ka lidhje me politikë zgjedhja ime. Unë Haxhi Shalën e njoh si deputet, unë jam i pavarur”, deklaroi ai.