Ilustrim

Bordi i përkohshëm shpërfillë Ministrinë, zgjedh kryeshefin në Infrakos

Edhe pse kishte shkresa zyrtare nga aksionari, në këtë rast Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Bordi i përkohshëm i Ndërmarrjes Publike “Infrakos” sot ka marrë vendim për zgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar kryesuesi i Bordit të përkohshëm në “Infrakos”, Brahim Selmaj.

“Është zgjedh kryeshefi dhe është zgjedh me të gjitha procedurat që duhet me i zgjedhë sepse këtu ka qenë vendi më vakant që mundet me qenë, kryeshefi i kaluar ka dhënë dorëheqje. Është zgjedh Hysen Nikqi”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Por, sot ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, ka dërguar një kërkesë për Bordin e përkohshëm të drejtoreve të “Infrakos” ku ka kërkuar shfuqizimin e procesit të përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv.

Sipas vlerësimit të kësaj ministre, nuk janë respektuar procedurat e konkursit ndërsa, është përmendur që pozitat e larta nëpër ndërmarrje publike duhet të zgjidhen nga bordet e rregullta dhe jo ato të përkohshme.

Shkeljen e procedurave të konkursit për zgjedhjen e kreshefit ekzekutiv në “Infrakos” i kishte evituar edhe Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, organ i cili është në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.

Ministria kërkon shfuqizimin e vendimit për zgjedhjen e kryeshefit të “Infrakos”-it

www.kallxo.com