Foto: Kallxo.com

Albin Kurti ia kërkon LDK-së emrat e ministrave (VIDEO)

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmes një video në ‘Facebook’ i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës që t’i dërgojë emrat e pesë ministrave dhe të një zëvendëskryeministri, që të hapet rruga për formimin e qeverisë.

Kurti ka thënë se si njeriu që ka marrë më së shumti vota në dy palë zgjedhjet e fundit, nuk ka kohë për të humbur.

“Më 26 dhjetor 2019 në seancën konstituive të legjislaturës së shtatë u detyruam të shkojmë pa marrëveshje me LDK-në. Sot me 6 janar 2020 në takim konsultativ me Presidentin e Republikës sërish jam i detyruar të shkoj pa marrëveshje me LDK-në. Përkundër përpjekeve të mia të vazhdueshme, nuk u bë e mundur të kem një takim me kryetarin e LDK-së, para këtij takimi të sotëm me Presidentin e shtetit”, ka deklaruar Kurti.

Kurti gjithashtu është zotuar se do t’i sjell emrat e ministrave nga komunitetet pakicë.

Albin Kurti prezanton ministrat e vet (VIDEO)

“Unë zotohem se menjëherë pasi t’i kem ata gjashtë emra, do ta sjell emrin e ministrit nga pakicat jo serbe dhe atë të pakicës serbe, por edhe emrat e së paku 10 zëvendësministrave të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Kurti.

Ndërsa këta janë emrat e ministrave nga rradhët e Vetëvendosjes: Për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë: Haki Abazi, ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, prof. Blerim Reka, për ministër të Financave dhe Transfereve, prof. Besnik Bislimi, për ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari dhe për ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia.