Albin Kurti dhe Shaip Kamberi diskutojnë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Shaip Kamberin, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe shef i Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, së bashku me shefin e tij të kabinetit, Rahim Salihu.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e kryeministrit, thuhet se Kurti dhe Kamberi biseduan për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në viset e tjera në Serbi.

“Në takim u diskutua për të drejtat që i kanë shqiptarët përmes Këshillit Nacional Shqiptar, si edhe rrudhjen e tyre nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, nga janari i vitit 2014. Kryeministri Kurti dhe Kamberi diskutuan edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, për dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, temë e bisedës ishin edhe dy samitet e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtura këtë muaj në Tiranë dhe në Vjenë.

“Takimi me Shaip Kamberi është në vazhdën e takimeve që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve”, thuhet në komunikatë.