Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Akuzohen se përfituan 200 mijë euro përmes falsikifikimit të çeqeve, dështon seanca ndaj “hakerëve"

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca kundër 10 të akuzuarve për falsifikim të çeqeve dhe pastrim të parave.

Sipas akuzave të ngritura nga Prokuroria Speciale, të akuzuarit kanë përfituar rreth 200 mijë euro.

I akuzuari Artan Prebreza nuk u paraqit në seancë, kurse mungesën e tij e ka arsyetuar mbrojtësi i tij, Arian Prebreza.

Sipas avokatit, i mbrojturi i tij ka harruar se ka sot seancë.

Në sallën e gjykimit mungoi edhe i akuzuari Driton Konushevci.

Për mungesën e tij avokati Mentor Neziri u thirr në gjendjen shëndetësore të klientit të tij.

Lidhur me këtë mungesë kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, ka bërë të ditur se do të kërkojë të verifikojë raportet shëndetësore të Konushevcit.

Ekspertët e ftuar nga palët e dëmtuara “ProCredit” dhe “Reifeissen Bank” ishin të paraparë të dëgjohen në seancën e sotme, me ç’rast ka prezantuar eksperti nga “ProCredit”, Lulëzim Veseli.

Për shkak të mungesës së dy prej të pandehurve, seanca dështoi kurse seanca e radhës u caktua të mbahet më 11 shtator.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit që nga viti 2005 kanë përfituar dobi pasurore rreth 200 mijë euro përmes falsifikimit të kartelave bankare. Kjo është bërë përmes kyçjes në sisteme kompjuterike, ku më pas është bërë tërheqja e shumave të ndryshme të parave nga xhirollogaritë e personave nga mbarë bota, në emër të bankave “Raiffeisen” dhe “ProCredit”, të cilat në këtë procedurë mbajnë epitetin e palëve të dëmtuara.

Këto veprime të pandehurit i kanë ndërmarrë në bashkëpunim me disa hakerë të cilët akoma mbeten të panjohur për Prokurorinë. Të njëjtit kanë pajisur të akuzuarit Driton Konushevci dhe Valton Isufi me pin – kodin e 10,000 xhirollogarive bankare të personave të huaj, me të cilët të akuzuarit kishin arritur të kyçeshin në llogaritë bankare prej të cilave kanë bërë tërheqjet e parave.

Lidhur me këto akuza, në seancën e sotme të pandehurit u deklaruan të pafajshëm para trupit gjykues.

Në vazhdim, palët në procedurë dhanë fjalët hyrëse.

Në fjalën hyrëse, prokurori i rastit emërtoi provat me të cilat Prokuroria tenton të provojë fajësinë e të akuzuarve, duke përfshirë këtu provat e siguruara gjatë bastisjeve, provat e siguruara nga institucionet financiare si dhe raportet e dëmit të shkaktuar në rastin e përdorimit të kartelave në fjalë.

Përfaqësuesit ligjorë të palëve të dëmtuara, bankave “ProCredit” dhe “Raiffeisen”, respektivisht Edona Selimi dhe Diamant Avdimetaj, e mbështetën fjalën e prokurorit si dhe deklaruan se i bashkëngjiten ndjekjes penale.

Kurse sa i përket mbrojtjes, avokatët përkatës të të akuzuarve kanë qëndruar prapa pafajësisë së të mbrojturve të tyre. Me këtë rast avokati Shkodran Malaj i të akuzuarit Artan Prebreza dhe avokatja Vlora Berisha që përfaqëson të akuzuarin Blerim Cakolli, kanë kërkuar hedhjen e aktakuzës për të mbrojturit e tyre.

Vlen të theksohet se sa u përket veprave që u vihen në barrë të akuzuarve, pika 3, 4 dhe 5 të aktakuzës kanë arritur parashkrimin absolut të ndjekjes penale. Konkretisht, është parashkruar ndjekja për armëmbajtje pa leje ndaj Valton Isufit dhe Artan Prebrezës, si dhe vepra për posedim të narkotikëve, e cila rëndonte mbi të akuzuarin Driton Konushevci.