Aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë, i akuzuari godet me thikë dy viktima në një lokal

Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë së Pejës ka ngritur aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë ndaj të akuzuarit me inicialet G. I.

Sipas aktakuzës G. I. ka tentuar të vras të dëmtuarin E. G. ku pasi ka hyrë në një lokal dhe e ka vërejtur viktimën e ka goditur me thikë në regjionin e barkut duke i shkaktuar plagë shpuese dhe tejshpuese.

Ndërsa më pas, aktakuza thotë se pa folur fare ka shkuar tek viktima tjetër Z. Gj. të cilin e godet me thikë dhe i shkakton plagë shpuese dhe shqyese.

Sipas aktakuzës e gjithë kjo kishte ndodhur në mbrëmjen e 10 gushtit të këtij viti në sheshin “Ibrahim Rugova” në Istog.

Sipas komunikatës së Prokurorisë me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar se G. I. ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë dhe ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë.

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me iniciale, G. I.,  për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 173, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.11, lidhur me nenin 28, të Kodit Penal të Republikës së Kosovë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri G. I., më datë 10 gusht të vitit 2023, rreth orës 21:45, në sheshin “Ibrahim Rugova” të Istogut, tenton t’i kryej dy vrasje duke tentuar t’i privojë nga jeta dy të dëmtuarit, E. G. dhe Z. Gj., derisa  i pandehuri G. I., hyn në një lokal  dhe sapo vëren të dëmtuarin E. G., pa folur fare me viktimën, me thikë e godet në regjionin e barkut duke i shkaktuar plagë shpuese dhe tejshpuese, dhe më pas, pa folur fare shkon në drejtim të dëmtuarit tjetër, Z. Gj., të cilin e godet me thikë duke i shkaktuar plagë shpuese dhe shqyese”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.