Aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë për shitblerje të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E. D., shtetas i Shqipërisë, i cili gjendet në paraburgim.

Në bazë të aktakuzës, i pandehuri me iniciale E. D. më datë 22.02.2024, rreth orës 17:00 në fshatin Vërmicë – Prizren, me qëllim të shitjes, pa autorizim importon substanca apo preparate, të cilat me ligj konsiderohen narkotikë, së bashku me një person tjetër (deri më tani të paidentifikuar), janë futur ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nëpërmes rrugëve malore.

Sipas aktakuzës të njëjtit pasi që zbulohen nga Policia Kufitare e Kosovës fillojnë të ikin në drejtim të fshatit Vërmicë.

Tutje, në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prizren thuhet që pasi i pandehuri arrestohet nga policia, në vendin e ngjarjes gjenden dhe sekuestrohen dy (2) çanta të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë në peshë të përgjithshme prej 31,596.54 gram, të cilat i pandehuri i kishte bartur në shpinë.

Pas kontrollit të automjetit të markës ‘’Fiat Croma’’, të cilin e kishte drejtuar i pandehuri në fjalë, është gjetur dhe sekuestruar një qese plastike e mbushur me substancë narkotike e llojit kokainë në peshë të përgjithshme prej 49.78 gram, të cilat substanca narkotike kanë qenë të destinuara të vihen në qarkullim për shitje dhe shpërndarje të paautorizuar brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se me veprimet e tij i pandehuri E. D., ka përmbushur elementet e veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” sipas KPRK-së.