Autoambulancë me targa të Beogradit përball objekt-aneksit në stacionin qendra në Prishtinë. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Aktakuzë ndaj dy të dyshuarave për veprimtari të kundërligjshme mjekësore në aneksin e Stacionit Policor ‘Qendra’

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave që dyshohen se kanë ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore në aneksin e objektit të Stacionit Policor ‘Qendra’ në Kryeqytet.

N.P. dhe E.I. po akuzohen për dy vepra penale ‘’Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.

Sipas aktakuzës, për këto veprimtari ato janë paguar nga Serbia deri në 1 mijë e 700 euro në muaj.

“Sipas aktakuzës, të pandehurat nga data e pacaktuar, në vazhdimësi e deri më 31 janar 2024, në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, më saktësisht në objektin (aneksin) e bashkëngjitur me Stacionin Policor ‘Qendra’ në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke u paraqitur si anëtare të një OJQ-je dhe si mjekë, kanë ofruar shërbime dhe trajtime mjekësore për qytetarët e Kosovës, pa qenë të licencuara dhe të autorizuara nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, e për të cilat shërbime kanë pranuar pagesa të rregullta mujore nga autoritetet e shtetit të Serbisë, në shumën deri 1,700.00 euro” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pas zbatimit të urdhër kontrollit nga Policia e Kosovës, Prokuroria thotë se të pandehurave u janë gjetur në posedim barna e produkte mjekësore pa banderola të Republikës së Kosovës dhe pa prejardhje, duke iu shërbyer qytetarëve të Kosovës, pa ju bërë kontrolle të nevojshme nga personi apo institucioni i autorizuar dhe se me këtë kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve të Kosovës.

Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës që ato të shpallen fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Ai po ashtu ka propozuar që barnat dhe produktet mjekësore të konfiskohen dhe të asgjësohen sipas procedurës së paraparë ligjore.

Pajisjet mjekësore, dokumentet, e gjësende të ndryshe materiale që u gjetën në atë objekt më 27.05.2024 janë transportuar në Spitalin e Graçanicës.

Transporti i tyre u bë me autoambulanca, e njëra prej tyre me tabela të Beogradit.

Më 31.01.2024, Policia kishte ndërmarrë një aksion në lidhje me këtë çështje, ndërsa ishin intervistuar edhe persona të dyshuar e të tjerë si dëshmitarë për mënyrën se si kishte funksionuar kjo organizatë dhe kishte mbyllur këtë zyrë.

Prokuroria kishte njoftuar se pas pranimit të informatës nga Ministria e Punëve të Brendshme, se në objektin-aneks i Stacionit Policor ‘Qendra’ në Prishtinë është duke operuar një OJQ në mënyrë të kundërligjshme, ekipe nga prokuroria, policia e dogana, kishin dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Me autoambulancë me tabela të Beogradit po barten materialet që u gjetën në aneksin ngjitur Stacionin e Policisë