Aksidenti në Fushë Kosovë, IPK arreston një polic

Një zyrtar policor është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) si i dyshuar për rrezikim të trafikut publik.

Polici i arrestuar sipas IPK-së dyshohet se është shkaktar i aksidentit që ndodhi mbrëmë (22.06.2024) në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë.

IPK tha se mbrëmë është informuar nga Policia e Kosovës për një aksident me lëndime të rënda trupore në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë ku në aksident është i përfshirë një zyrtar policor me veturë civile dhe jashtë detyrës zyrtare.

Sipas IPK-së, aksidenti është raportuar të ketë ndodhur në 23:00h më 22.06.2024 ku janë përfshirë katër automjete.

“Pas pranimit të kësaj informate, IPK menjëherë i është përgjigjur rastit përderisa 5 personat e  lënduar në këtë aksident janë dërguar për tretman mjekësor” – u tha në njoftimin e Inspektoratit.

“Si pasojë e lëndimeve trupore një vozitës i njërit nga automjetet e përfshira në këtë aksident raportohet fatkeqësisht se ka humbur jetën sot” – thuhet tutje.

IPK tha se ndaj zyrtarit policor, prokurori ka vendosur që të caktojë masën e ndalimit për 48 orë.

Po ashtu është thënë se veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.