Aksident në Skenderaj, vdes një vajzë 5-vjeçare

Një fëmijë i moshës 5-vjeçare ka humbur jetën në një aksident i cili ka ndodhur sot në në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë, gjegjësisht në fshatin Runikë të Skenderajt.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në rajonin e Mitrovicës Avni Zahiti.

“Sot rreth orës 14:20, në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë, gjegjësisht në fshatin Runikë të Skenderajt, ka ndodhur një aksident trafiku, ku për pasojë një (këmbësore) fëmijë i moshës pesëvjeçare  ka vdekur, ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe një këmbësore e moshës madhore”, ka thënë ai.

Sipas Zahiti dyshimet e para janë se njëra nga veturat e aksidentuara ka dalë nga shiriti pas aksidentit dhe ka goditur këmbësoret.

“Bazuar ne hetimet fillestare në aksident ishin  të përfshira dy automjete civile me targa vendore, ku si pasojë e  aksidentit  njëra nga veturat del jashtë shiritit rrugor ku në trotuar  godet dy këmbësoret të  cilat me urgjencë  ishin dërguar në QKMF- Skenderaj, me ç’rast mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës”, ka thënë tutje ai.

“Ngasësit e dy  automjeteve të  përfshira në aksident janë arrestuar, ku  me aktvendim të prokurorit të rastit dy të dyshuarve  u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka shtuar ai.