
Brezovica - Foto: REL/Reuters
AKP: Fillon punën Ndërmarrja Shoqërore "Brezovica"
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka njoftuar se ka filluar punën Ndërmarrja Shoqërore “Brezovica”.
Sipas njoftimit, tashmë është emëruar edhe një bord i përkohshëm prej gjashtë anëtarëve.
“Më 13 janar 2022, Bordi i Drejtorëve i AKP-së emëroi Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues për NSH Inex Sharr Planina Brezovicë, Shtërpce, në përbërje të gjashtë anëtarëve. Kjo ndërmarrje me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së ishte vendosur më parë nën Administrim Direkt të AKP-së më 22 dhjetor 2020”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, AKP njoftoi se bordi të premten ka mbajtur edhe një mbledhje ku është diskutuar për mbarëvajtjen e punëve në Brezovicë dhe është biseduar gjerësisht për obligimet e bordit të Brezovicës.
“Për t’i përmbushur detyrat e tyre ligjore për funksionimin e tërësishëm të Brezovicës në bazë të ligjeve të Kosovës, duke përfshirë: Instalimin e arkave fiskale; Raportimin financiar e operativ në AKP; Deklarimin e rregullt të tatimeve te ATK si dhe zbatimin e ligjeve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e AKP-së.
Në fund, AKP ka pasur edhe një njoftim për publikun.
“Publiku njoftohet se skiliftat janë lëshuar në operim në mëngjes më 16 janar 2022 dhe se do të vazhdoj operimi i rregullt i Brezovicës. Publiku ftohet që për çdo shërbim që pranojnë në këtë ndërmarrje të kërkojnë kuponin fiskal”, thuhet në fund të njoftimit.