AGK-ja dënon intervistimin e gazetarit Alban Muhaxheri nga policia

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar lidhur me raportimet e gazetarit Alban Muhaxheri se është intervistuar në stacionin policor në Kaçanik për një shkrim të tij për një pjestar të policisë.

“Gazetari dhe redaktori i portalit “Indeksonline”, Alban Muhaxheri, e ka njoftuar AGK-në, se është marrë në pyetje për disa orë në stacionin policor në Kaçanik, pas shkrimeve për një pjesëtar të Policisë në një faqe lokale të Facebookut”, thuhet në njoftim.

Muhaxheri ka deklaruar se i është kërkuar të heq shkrimin ose do mbahej në paraburgim për 48 orë.

AGK-ja e dënon ftesën e policisë për intervistimin e gazetarit dhe e sheh këtë si presion të hapur për punën e medias.

AGK-ja, gjithashtu e ka ftuar Policinë e Kosovës që ta hetojë sjelljen e zyrtarëve policorë dhe të kujdeset që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

Kanun Veseli nga Zyra për informim e Policisë në Ferizaj në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë raport për këto pretendime.

“Akoma nuk kemi të dhëna prandaj po presim ndonjë raport”, u përgjigj shkurt Veseli.

Gazetari dhe redaktori i Indeksonline, Alban Muhaxheri, po pretendon se është kërcënuar në lidhje me një shkrim që ai e ka publikuar për një biznes të një polici.

“Dje rreth orës 20:30 në stacionin e Policisë në Kaçanik më kanë thirrur lidhur me një ankesë. Kam shkuar në stacion, i kam pyetur për çka bëhet fjalë, më thanë për një shkrim për raportimin për një biznes familjar të një polici”, ka thënë ai për KALLXO.com

Ai tha se i është kërkuar të largojë shkrimin ose shkon 48 orë në mbajtje.