AGK: E papranueshme gjuha kërcënuese e gjyqtarit Bejtullahu ndaj gazetarit Arlind Sadiku

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar lidhur me kërcënimin ndaj gazetarit të sportit Arlind Sadiku para ndeshjes Gjilani-Drita prej gjyqtarit Mervan Bejtullahu.

Sipas një njoftimi të AGK-së, gazetari Arlind Sadiku ka raportuar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se është kërcënuar nga gjyqtari Mervan Bejtullahu.

Sipas Sadikut, Bejtullahu e ka kërcënuar haptazi para ndeshjes Gjilani – Drita, duke i thënë se “veç jemi në Gjilan, se t’ishim kanë në Prishtinë, t’kisha kallxu”.

AGK potencon se një gjuhë dhe sjellje e tillë është e papranueshme dhe e pamundëson raportimin e gazetarit nga vendi i ngjarjes.

AGK-ja gjithashtu ka kërkuar nga Federata e Futbollit e Kosovës – FFK të marrë masa ndaj gjyqtarit Bejtullahu.