AGK dënon thirrjen për linçim të dy gazetarëve të T7 nga deputeti i LVV-së, Salih Zyba

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj një video të publikuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, në të cilën shihen dy gazetarët e televizionit T7, Leonard Kërquki dhe Arsim Lani.

Në reagim, AGK-ja ka thënë se video e publikuar nga Zyba dhe e shpërndarë nga anëtarë të Vetëvendosjes, është thirrje për linçim të gazetarëve dhe paraqet rrezik direkt për sigurinë e tyre.

“AGK-ja konsideron se një video-montazh e tillë e publikuar nga një deputet dhe e shpërndarë nga dhjetëra pjesëtarë të VV-së, është thirrje për linçim të dy gazetarëve dhe mediumeve në fjalë, dhe paraqet rrezik direkt për sigurinë e tyre” – thekson AGK.

“Për të satën herë, AGK-ja fton deputetët dhe anëtarët e tjerë të Vetëvendosjes, që të mos përdorin fuqinë e tyre të pushtetit për të sulmuar mediet dhe gazetarët, në mënyrë që ata ta kryejnë punën e vet të papenguar, dhe pa presionin e vazhdueshëm të këtij pushteti” – thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Video e publikuar nga Zyba paraqet gazetarët Kërquki dhe Lani në dy raste të ndara në vitet 2016 dhe 2022, duke prezantuar emisione, ndërsa mbishkrimi i Zybës ishte ‘E njëjta luftë e UÇK-së, i njëjti medium’.