Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Agim Bahtiri për aksionin e Policisë në veri të Mitrovicës: I kontribuon paqes dhe stabilitetit

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se ndonëse gjendet në Bruksel po e përcjell me vëmendje situatën pas aksionit të sotëm të Policisë në veri të Mitrovicës.

“Edhe pse gjendem në Bruksel, po e përcjelli me vëmendje situatën pas aksionit, i cili i kontribuon paqes dhe stabilitetit për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Sipas tij, të gjithë jemi të barabartë para ligjit dhe se organet e sigurisë duhet të veprojnë në gjithë territorin e shtetit.

“Institucionet e Republikës së Kosovës dhe veçanërisht ato të sigurisë duhet të veprojnë në gjithë territorin e shtetit tonë, sepse të gjithë jemi të barabartë para ligjit“, thuhet tutje në postimin e tij.

Një aksion të gjerë ka zhvilluar mëngjesin e sotëm Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Aksioni i zhvilluar ka lidhje me rastin e vrasjes së ish politikanit serb Oliver Ivanoviq

“Mund të konfirmojmë se sot në orët e hershme të mëngjesit, në veri të Mitrovicës Policia e Kosovës ka realizuar një operacion policor i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes se z. Oliver Ivanoviq”, ka thënë zëdhënësi i Policisë Baki Kelani.

“Ky operacion policor është realizuar në bazë të urdhëresës për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore, Departamenti Special, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar m/k/s zyrtar policor ( R. B. ) i përfshirë në urdhër kontroll. Përderisa i dyshuari tjetër po ashtu pjesëtar policor m/k/s mbetet në kërkim.”, ka thënë Kelani.

Vrasja e Ivanoviqit, edhe një rast në proceset e gjata nën hetime

I kërkuari sot nga Policia e Kosovës, Zhelko Bojiq edhe më herët ishte i njohur për Policinë dhe Prokurorinë. Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë gjenden dy lëndë ku Bojiq është i dyshuar për kryerje të veprave të ndryshme penale.Në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj Prokurorie madje gjendet një rast që prej vitit 2012, kur EULEX-i kishe ngritur propozim akuzues, nën dyshimin se Bojiq kishte kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

“Në Departamentin e Përgjithshëm e ka një lëndë, ku dyshohet për një vepër penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”. EULEX i ka ngritur Propozimin Akuzues me datë 20 qershor të vitit 2012“, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.

Veprat për të cilat kërkohet Zhelko Bojiq, i dyshuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

www.kallxo.com