Nxënësit në Gjakovë përmes brushës luftojnë bullizmin dhe dhunën në shoqëri

E mërkura e nëntë nëntorit e gjeti çdo cep në Galerinë e Arteve në Gjakovë të mbushur me piktura e vizatime shumëngjyrëshe të cilat përmes formave të ndryshme përmbanin një mesazh të përbashkët: luftimin e dhunës në shkolla dhe ngacmimeve seksuale.

FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com

Kjo ekspozitë që mbante temën “Fuqizimi i të rinjëve për një jetë pa dhunë dhe parandalimin e ngacmimeve seksuale” u mundësua falë financimit të Bashkimit Evropian (BE), me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës i Rrjetit të Grave të Kosvës (RrGK) dhe u zbatua nga Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes (ShEPF).

Ajo çka solli deri te kjo ekspozitë ishte trajnimi shtatë mujor i ShEPF përmes të cilit 500 nxënës dhe 50 mësues u informuan për kuadrin ligjor dhe të drejtat e tyre. Në anën tjetër, 100 vajza u vetëdijesuan për identifikim të ngacmimeve seksuale dhe njohjen e institucioneve përkatëse për të raportuar raste të tilla. Po ashtu, përgjatë kësaj periudhe pesë vajza kanë përfituar shërbime psiko-sociale.

Kësisoj, punimet e realizuara nga nxënës të shkollave të mesme të ulëta të komunës së Gjakovës përçonin mesazhe dhe informata për bullizmin, dhunën në familje, abuzimet seksuale, trafikimin me qenie njerëzore e llojet e dhunës në shoqëri.

Në mesin e këtyre pikturave bëheshin thirrje për raportim të këtyre rasteve e disa punime të tjera i dënonin dukuritë e tilla.

FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com

Kështu, përgjatë mesditës së 9 nëntorit Galeria e Arteve në Gjakovë u vërshua nga vizitorët dhe fëmijët që kishin ardhur për t’i parë e shpjeguar punimet që kishin realizuar.

FOTO: KALLXO.com

Bahrije Vehapi, Udhëheqëse e “Shoqatës Për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes” shpjegoi për KALLXO.com se këto punime ishin pasqyrim i informatave që kishin mësuar nxënësit gjatë trajnimit shtatë mujor.

“Deri te ky aktivitete kemi ardhur pas ligjëratave, fëmijët janë fokusuar që nëpërmjet artit të paraqesin mangësitë apo atë çfarë kanë parë edhe ne kemi vendosur që këto piktura t’i vendosim dhe t’i prezantojmë fëmijët se si e kanë ndjerë, veten ose çfarë kanë parë apo dëgjuar”- shpjegoi Vehapi, e cila u shpreh pozitive se aktivitete të tilla ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes në shoqëri.

“Po, gjithsesi mendojmë se ngritet vetëdija, para së gjithash edhe pas ligjëratave, sepse fokusi ka qenë që fëmijët të jenë në dijeni se çka është abuzimi seksual, kur abuzohet dhe format, se pak a shumë edhe nuk dinë çfarë do të thotë abuzimi. Do të thotë pas ligjëratave edhe e kanë kuptuar që një sjelle shumë normale për ta që nuk është normale dikur”- vijoi ajo.

Bahrije Vehapi. FOTO: KALLXO.com

Ndërsa, Edona Rudi ishte trajnerja ligjore në SHEPF që përgjatë kësaj kohe u kishte mbajtur fëmijëve 10 seanca të ligjërime.

Ajo shpjegoi se gjatë ligjërimeve, rëndësi e veçantë i është dhënë shpjegimit të nxënësve për dhunën seksuale.

“Në këtë trajnim i kemi mbajtur gjithsej 10 ligjërata nëpër shkollat fillore, gjithashtu edhe nga një ligjëratë me profesorët apo arsimtarët e asaj shkolle. Dhunës në përgjithësi në shkolla i kemi kushtuar rëndësi por sidomos theks të veçantë i kemi dhënë dhunës seksuale”- tregoi Rudi.

Mirëpo, ajo theksoi se në fillim të këtyre ligjërimeve në disa raste kishte pasur ngurrim nga ana e nxënësve që të flasin hapur për këtë temë.

“Në ligjëratat tona në disa shkolla nxënësit kanë ngurruar të flasin për dhunën seksuale, më shumë kanë nguruar si temë tabu. Mirëpo, në momentin kur kemi filluar ta paraqesim dhunën si fillon, cilat janë ngacmimet e para, si djemtë bëjnë ngacmime duke u nisur duke lëshuar ndonjë fjalë apo fërshëlluar, vajzat dhe djemtë janë liruar dhe kemi parë që ka dhun seksuale, fillon qysh herët dhuna seksuale”- tha Rudi e cila u shpreh e shqetësuar edhe me gjetjet për bullizmin nëpër shkolla.

“Gjithashtu, i kemi kushtuar rëndësi edhe bullizmit i cili është një fenomen shumë i madh, edhe për mua kanë qenë të dhimbshme gjetjet e bullizmit që i kemi bërë. Mund të them që në çdo klasë, 5-6 minimumi (raste) që është deklaruar vet nxënësi që përjeton bullizëm”.

Sipas saj, rastet më të më mëdha të bullzimit janë shfaqur ndaj dukjes së nxënësve.

“Nxënësit të cilët janë me syze, nxënësit që kanë problem në të shprehur, nxënësit që janë mbi peshë, nxënësit që janë të hollë ose të vegjël me trup…”- tha ajo.

Rudi i cilësoi trajnimet me nxënës si efektive për t’i informuar ata rreth hapave që duhet të ndjekin në raste kur ata janë pre e bullizmit, dhunës apo abuzimeve.

“Unë kisha bërë apel tek të gjitha OJQ-të që sa më shumë të mbajnë trajnime vetdijsuese sepse na kanë ndihmuar të bëjmë gjetje dhe na kanë ndihmuar t’i vetdijesojmë nxënësit që nuk duhet të ndodhë dhuna dhe bullizmi. Madje, çka është kryesorja unë si juriste e kam parë që është shumë më e arsyeshme që nxënësi duhet të vetëdijesohet që dhuna është e dënueshme dhe nuk kanë të drejtë ta dhunojnë dhe ngacmojnë njëri -tjetrin”- përmbylli ajo për KALLXO.com.

Këto trajnime janë mbajtur në pesë shkolla fillore në komunën e Gjakovës.

Përpos 10 seancave që nxënësve u janë mbajtur juristja, me këta nxënës janë mbajtur edhe 10 seanca me një psikologe.

Ky projekt përkrahet nga Fondi i Grave të Kosovës me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit
Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve
dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë
COVID-19”.