Gashi: Përqeshja ka çuar deri në vrasje

Kreshnik Gashi, redaktor në KALLXO.com, ka thënë se është dashur që të punësohen më shumë logopedë në mënyrë që pritja për të marrë shërbime të jetë më e shkurtër.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se në shoqërinë kosovare mungon identifikimi i problemeve.

“Po flas nga këndi juridik. Në Kosovë ekziston një problem shumë i madh që nuk gjendet arsyeja pse dikush është i motivuar për të bërë një krim. Në njërin nga rastet e dhunës në familje, ku ka pasur vrasje, unë e kam gjetur problemin logopedik, i cili potencialisht e ka shkaktuar edhe problemin e vrasjes së një gruaje” – ka thënë Gashi.

Ai më tej duke mos dashur të identifikojë viktimën ka thënë se në bazë të dokumenteve të gjykatës, dorasi ka qenë i stigmatizuar për shkak se ka pasur probleme në të folur.

“Ka pasur probleme në të folur, si rrjedhojë ai ka pasur probleme xhelozie me bashkëshorten, mandej kanë pasur konflikt për shkak të xhelozisë, e stigma ka shkuar deri te vrasja, pra askush s’është marrë me problemin bazik, shkaktarin e vërtetë të xhelozisë e pastaj edhe të vrasjes. Debati ka shkuar në atë rast që gjykata duhet ta burgosë këtë njeri, e kur është burgosur, kur e ka dhunuar fizikisht për herë të parë gruan, nuk ka pasur ndonjë analizë se pse po e rreth gruan e tij” – ka thënë Gashi.