Faton Peci: Jam bërë pjesë e fushatës denigruese në raport me mbiemrin tim

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se është bërë pjesë e një fushate denigruese në raport me mbiemrin e tij.

Kjo sipas tij ka ndodhur prej disa kohësh nga disa media online.

“Këto media punën time si ministër dhe si njeri i angazhuar në politikë po e mbulojnë nëpërmjet raportimit seksist apo përqeshjes në raport me mbiemrin tim”, ka thënë ai.

Ministri Peci ka thënë se punën e secilit e përmbushë emrin dhe mbiemrin dhe se ka të tillë që bartin histori pas vetes, sikundër që ka të tillë që janë pjesë e arealit të mbiemrave kosovarë.

“Është për keqardhje kur konotacioni pezhorativ përdoret nga një pjesë e atyre që lirinë e fjalës po e kthejnë në liri denigrimi”, tha Peci.

Tutje ai shtoi se është për keqardhje kur sheh se as shoqëria civile e as ata që, sipas tij, duhet kujdesur për gjuhën e medias për vite të tëra nuk e thanë asnjë fjalë.

Ai po ashtu tha se kësaj gjuhe seksiste dhe denigruese iu është bashkëngjitur edhe një anëtare e shoqërisë civile nga Mitrovica.

“Kjo le që bie ndesh me standardet profesionale të gazetarisë, por edhe me kodin etik të komunikimit publik. Ne të gjithë bartim mbiemra, por mbi të gjitha bartim punën dhe veprat që lëmë pas”, tha ai.

Paci shtoi se qyteti prej nga vjen ai, pra Mitrovica ka mbiemra karakteristik, të cilët përtej tij personifikojnë historinë.

“Isa Boletini, Ahmet Selaci, Ukshin Kovaçica, Safet Peci Boletini, Ramadan Peci e shumë e shumë të tjerë, ishin Pec, janë ata që pavarësisht mbiemrave dhanë gjithçka për këtë vend. Si të tillë, qytetarët e këtij vendi i kujtojnë për veprat”, tha ndër të tjera i pari i Bujqësisë.

Ai shtoi se bullizmi dhe seksizmi online që po bëhet është kundër vlerave që pretendon shoqëria jonë.

Peci tregoi se e ka pasur të ditur se me këtë reagim dikush do të provoj ta ndërtojë, sipas tij, të ashtuquajturin “lajm”.

Mirëpo, ai tha se pavarësisht kësaj, ai vazhdon ta mbajë me krenari si emrin edhe mbiemrin.

“Por, pavarësisht kësaj, unë vazhdoj ta mbajë me krenari si emrin edhe mbiemrin”, ka shkruar ministri Peci.

“Krejt çfarë mund të bëj është një këshillë miqësore për këtë kastë: lexojeni Frojdin, po patjetër edhe Joseph Murphy-in”, tha ai duke shtuar se as ai e as mbiemri tij nuk mund t’u dalë në ndihmë atyre që përpiqen t’i trajtojnë apo t’i projektojnë komplekset e tyre te tjetri.