Abdixhiku e quan Kurtin 'arkitekt i mashtrimit', e fton që ta prezantoj në Kuvend draftin e pranuar

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas takimit që kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pasur sot një javë me pesëshen evropiane dhe pranimin që kreu i qeverisë e ka bërë të enjtën për dokumentin e dorëzuar nga emisarët specialë.

Sipas Abdixhikut, që nga ajo ditë Kosova dhe populli i Kosovës janë në terr të plotë informativ. Ai e ka quajtur kryeministrin “arkitekt të mashtrimit”.

“Tani, yjet politike janë përplot ironi. Ato, arkitektit të mashtrimit, dhunës e përplasjeve një dekadëshe ndërshqiptare i përcaktojnë fatin e bërjes së Statutit të Asociacionit për serbët dhe kështu zhbërjes së kauzës jetësore të tij. Çfarë fati i trishtë politik” – ka shkruar ai në “Facebook”.

“Fati i tillë megjithatë nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka të kuptojmë atë që duhej ta kuptonim një dekadë më parë. Se obligimet ndërkombëtare nuk kanë alternativë. Se dalldisjet populliste janë veçse përkeqësim. Se Asociacioni nuk mund të shmangej si detyrim. Vetëm se humbëm kohë, humbëm mundësi, përfunduam aty ku ishim në fillim. Këtë herë pa njohje, pa marrëveshje finale, e përplot dialog në vazhdimësi. Dhe mbi të gjitha, pa ndonjë shpjegim për një popull të tërë se çfarë ka pranuar Kosova në relacion me Serbinë” – ka thënë tutje kreu i LDK-së.

Abdixhiku ka ftuar kryeministrin ta prezantojë atë draft të pranuar nga emisarët në Kuvend.

Më 25 tetor, Qeveria e Kosovës ka pranuar që plani i ri, i propozuar nga pesë emisarët fundjavën që lamë pas, të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

Plani përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.

Neni i 7 i Marrëveshjes Bazike apo i njohur ndryshe në publik si plani franko-gjerman, thotë se  “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

Më 21 tetor 2023, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbia, Miroslav Lajçak i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë, qëndruan në Prishtinë dhe zhvilluan një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtij takimi Lajçak tha se i kanë propozuar një plan Kurtit, mirëpo pa dhënë detaje për përmbajtjen e tij, teksa shtoi se të njëjtin do ta prezantonin edhe para presidentit serb.

Disa ditë më vonë nga BE konfirmuan se blloku evropian ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.