AAK paralajmëron protestë për çmimin e energjisë

Kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që mos ta miratojë kërkesën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e çmimit të energjisë, duke thënë se subjektet opozitare do të protestojmë për ta ndalur këtë vendim.

Sipas Tahirit, kjo kërkesë është diskriminim.

“Subjektet opozitare do të protestojnë me ndalë këtë vendim. Kërkesa jonë është të bashkohemi sot ta ndihmojmë qeverinë ta votojmë rezolutën ku kërkojmë prej ZRrE-së që është trupë e jona që mos të bëjë këtë diskriminim”, tha Tahiri.

Ai ka kërkuar të nxjerrin edhe një rezolutë që e obligojë ZRrE-në të bëjë tjetër zgjidhje.

“Qytetari i Kosovës e paguan 4 herë çmimin e energjisë elektrike. Një herë e paguan faturën e KEDS-it, herën e dytë e paguan subvencionimin që shteti apo qeveria ia jep 75 milionë euro, herën e tretë paguan për gjithë ato amvisëri që shpenzojnë deri në 600 kilovat dhe herën e katërt paguajnë për qytetarët serbë të veriut. 4 fatura i paguan populli i Kosovës”, tha Tahiri.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kËh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.