AAK: Nuk mjafton suspendimi i zyrtarëve për zhdukjen e provave të Deharit, duhet dorëheqje

Deputeti nga radhët e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Bekë Berisha, ka folur në lidhje me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti për Mjekësi Ligjore.

Berisha tha se nuk mjafton suspendimi i zyrtarëve të IML-së, por ka kërkuar dorëheqje dhe arrestim për shkak se sipas tij, çështja është e ndjeshme.

“Nuk mjafton suspendimi i atyre zyrtarëve, ata duhet të arrestohen dhe duhet dorëheqje emergjente për shkak të ndjeshmërisë së çështjes” – u shpreh Berisha.

Ai ka kërkuar llogari se çka ka ndodhur me rastin në tërësi.

“Pra po them edhe një herë, duhet me u arrestu, me dhënë dorëheqje dhe duam saktë të dijmë se çka ka ndodhur me rastin në tërësi” – tha deputeti i AAK-së.

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të jashtëzakonshme për media dje ka bërë të ditur se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore.

“Që nga tetori i vitit 2021 nuk kanë kontrolluar nëse janë mostrat, sepse kështu e kanë sistemin dhe tek dje në momentin qe e kanë bërë bartjen e tyre e kanë kuptuar që mungojnë” – tha Haxhiu në konferencë për media.

Ministrja po ashtu tha se nuk ka dyshime se kjo eshtë bërë me forcë. Ministria e Drejtësisë më pas njoftoi se ka pezulluar nga puna katër zyrtarë të IML-së në ldihje me rastin.