A ka BQK rregullore që trajton ngacmimet seksuale? VIDEO

Zëvendës Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Sokol Havolli gjatë intervistës para Jeta Xharrës është pyetur nga kjo e fundit në lidhje me rregulloren që trajton ngacmimet seksuale brenda këtij institucioni.

Xharra kërkoi përgjigje konkrete nga Havolli nëse kanë rregullore specifike që trajton një tematikë të tillë siç janë ngacmimet seksuale.

“Po besoj që kodi i etikës dhe mirësjelljes e adreson”, thotë Havolli, deri sa Jeta Xharra thotë se ky kod nuk ka asgjë që mbulon pjesën e ngacmimeve seksuale.

“Unë jam i sigurtë që ka”, përgjigjet Havolli.

Xharra iu drejtua Havollit duke thënë se tashmë kjo rregullore po zë vend në të gjithë botën në sistemin bankar.

“Krejt bota po harton rregullore të veçanta, Sokol është sistemi bankar në krejt botën, është duke u bo rregullorja e ngacmimeve seksuale. A duheni me bo edhe ju?”, pyeti Xharra.

“Duhet t’i shohim praktikat për qeverisje të brendshme. Po dua me fol në këtë periudhë sa kam qenë zëvendës guvernator nuk është që kam pasur ndonjë raportim për diçka të tillë, por të njëjtën mundem me fol 2007-2014 edhe atëherë si zyrtar nuk është që kam dëgjuar diçka të tillë”, thotë Havolli.

Në intervistën e sotme të transmetuar në #KallxoPernime u diskutua për denoncime të shumta që janë bërë për Bankën Qendrore të Kosovës.

Zëvendës Guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ngriti disa çështje gjatë intervistës, ndërsa u përball edhe me avancimet që janë bërë brenda këtij institucioni.

Madje Havolli pati akuza edhe ndaj anëtarit të Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja, deri sa tha se ky i fundit kishte kërkuar dorëheqjen e tij, por edhe se kishte pasur lëshime gjatë përzgjedhjes së Havollit në pozitën që e mban sot.

Nurboja në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se ka kërkuar të dijë për zgjedhjen e Havollit si Zëvendës Guvernator dhe po pret nga Komisioni parlamentar, i cili e ka ngrit çështjen e mandatit të zëvendësguvernatorit, të kërkojnë nga zyra ligjore e parlamentit të bëjë interpretimin e ligjit të BQK-ës, në veçanti – nenit 45.

Për akuzat ndaj ish-auditorit të brendshëm Bezad Halilaj, ky i fundit për KALLXO.com ka thënë se do ta padis Havollin për shpifje.