Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A duhet të legalizohet prostitucioni sipas Flamur Sefajt nga LDK - AKR?

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Flamur Sefaj në DebatPernime tha se legalizimi i prostitucionit do të luftonte krimin e organizuar, por edhe do te prekte thellë vlerat morale të shoqërisë.

“Legalizimi do të luftonte krimin e organizuar që lidhet ngushtë me prostitucionin, pastaj me trafikim të qenieve njerëzore. Por, duhet të parashohim çështjen sanitare dhe mjekësore për shkak të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse” tha Sefaj.

Sefaj tha se për të marr një vendim të tillë duhet të bashkëpunojmë me të gjithë sektorët e shoqërisë.

“Nëse e marrim një vendim të tillë duhet të përfshihen të gjitha fushat e shoqërisë. Jo vetëm gjyqësori e prokuroria por edhe sociologët, psikologët, shoqëria civile… Do i konsultojmë bashkësitë fetare” deklaroi Sefaj.

Ai tha se para se të merret një vendim i tillë duhet të analizohen rrethanat për shkak se një veprim i tillë prek thellë shoqërinë në vlerat morale edhe etike përpos infrastrukturës ligjore.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Selim Selimi nga AAK dhe Flamur Sefaj nga LDK.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.