73-vjeçarja nga Vushtrria u infektua me coronavirus në Norvegji

Një 73-vjeçare nga fshati Studime e Ulët në komunën e Vushtrrisë është konfirmuar sot pozitiv me coronavirus.

Sipas kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, pacientja ishte kthyer nga Norvegjia më 14 mars, ku po qëndronte të djali i saj – i infektuar me këtë virus.

Ai për KALLXO.com ka thënë se gruaja e djalit të saj është duke u testuar në Klinikën Infektive dhe janë në pritje të rezultateve. Ndërsa për anëtarët e tjerë të familjes së saj tha se janë vetizoluar.

Tahiri tha se vazhdimisht kanë kërkuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që të bëhet testimi i këtij rasti, pasi që ishin në dijeni nga 19 marsi.

“Me 14 mars ka ardhur në Kosovë nga Norvegjia, atje ka qëndruar të djali i saj. Djali ka rezultuar pozitiv me coronavirus atje. Ne i kemi përcjellë nga ajo kohë. Nga data 19 mars që i kemi kuptuar nga ka ardhur kemi vazhduar ta përcjellim. Familja e saj dhe vetë pacientja kanë qenë në vetizolim. Ka disa ditë qe ne i kemi kërkuar IPSHK që t’i bëjë analizat por nuk i ka bërë deri sot. Ne vazhdimisht kemi kërkuar që të bëhet testi, për çka nuk e kuptojë, nuk e kuptojë edhe faktin që Ministria e IKSHP-ja nuk komunikojnë fillimisht me ne si Komunë para se që ta bëjë rastin publik, por ndoshta mund të jetë edhe nga fluksi i punëve”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Ai siguroi që gjendjen e kanë nën kontroll dhe se nuk paraqet ndonjë rrezik për fshatin apo përreth.

Tahiri deklaroi se tashmë janë duke u mbledhur shtabi emergjent nëse do të vendoset fshati në karantinë apo vetëm ajo lagje.

Dy raste të reja me coronavirus janë konfirmuar sot në Kosovë.

Numri i të infektuarve me coronavirus ka shkuar në 63.