Foto nga një mbledhje e kaluar e Qeverisë - Foto: ZKM

5 shtatori shpallet Dita e Humanizmit në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka vendosur që 5 shtatorin ta shpallë si Ditën e Humanizmit në Kosovë.

Ky vendim është marrë sot në një mbledhje elektronike që ka mbajtur kabineti qeveritar.

Sipas komunikatës së Qeverisë, data 5 shtator përkon me ditën e shkuarjes në amshim të humanistes shqiptare, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza.

“Shpallja e kësaj date si Ditë e Humanizmit në Kosovë, do të jetë shenjë e respektit dhe përkujtimit të vazhdueshëm nga Republika e Kosovës për të. Vendimin për shpalljen e 5 shtatorit si Ditë e Humanizmit në Kosovë e ka propozuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit” – thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Sot në mëngjes, krerët e institucioneve shtetërore, presidentja  Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te shtatorja e Nënë Terezës në Prishtinë, me rastin e përvjetorit të vdekjes së saj.

Krerët institucional bëjnë homazhe te shtatorja e Nënë Terezës