Foto: KALLXO.com

39 aksidente në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë territorin e Kosovës kanë ndodhur 39 aksidente.

Sipas Policisë, 16 aksidente kanë qenë me të lënduar e 23 pa të lënduar. Aksident me fatalitet, sipas raportit të Policisë, nuk ka pasur.

Policia ka njoftuar për një aksident që ka ndodhur dje rreth orës 8 :30 në Zhur të Prizrenit. Në këtë aksident janë përfshirë dy vetura dhe lëndime kanë pësuar tre persona, të cilët janë dërguar në Spitalin e Prizrenit.

Një aksident tjetër ka ndodhur rreth orës 11:30 në Shirokë të Suharekës. Sipas Policisë, në aksident janë përfshirë dy automjete dhe lëndime trupore ka pësuar njëri prej drejtuesve të automjetit, i cili ka marrë tretman mjekësor në QKMF të Suharekës dhe është liruar.

Një aksident tjetër më i rëndë ka ndodhur në fshatin Petrovë të Prizrenit. Aksidenti ka ndodhur dje rreth mesditës. Në të janë përfshirë dy automjete. Të lënduar në këtë aksident përveç dy shoferëve janë edhe 4 pasagjerë. Të lënduarit janë dërguar në Qendrën Emergjente te Prizrenit dhe pas tretmanit mjekësor lirohen në shtëpi.

Ndërsa, Policia gjatë 24-orëshit të fundit ka shqiptuar 795 gjoba kundër kundërvajtësve në trafik.