Foto: Valdrin Lluka/Facebook

28 vajza kosovare do të studiojnë për inxhinieri elektroteknike në ShBA

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka njoftuar se 28 vajza nga Kosova kanë arritur në Iowa të ShBA-së për të studiuar në fushën e inxhinierisë elektroteknike.

Vajzat kanë fituar bursa të plota nga Qeveria amerikane përmes programit Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe Millennium Foundation Kosovo.

“Miq, jam jashtëzakonisht i lumtur që Kosovës po i shtohen gradualisht 28 inxhiniere të elektros. Si ministër përgjegjës për zhvillimin e sektorit energjetik dhe si anëtar i bordit të Millennium Foundation Kosovo, ju uroj të gjitha 28 supervajzave suksese të përzemërta”, ka shkruar Lluka në Facebook.

Më tej ministri Lluka ka thënë se Kosova do të ketë nevojë për shkathësi të tyre dhe se ky moment do të shënohet në historinë e elektroenergjetikës.

“Me iniciativën time, shumë shpejt do të ketë bursa edhe për programin e doktoraturës në Amerikë dhe Evropë, për të plotësuar nevojat e kuadrove në Kosovë”, ka shtuar Lluka.

Elektroenergjetika është njëri prej programeve që rrezikon të mbyllet për shkak të mungesës së kuadrove. Ministri Lluka ishte zotuar që do të bashkëpunojë me Universitetin e Prishtinës për t’iu ofruar bursa dhe punë praktike studentëve të kësaj fushe.

Elektroenergjetika rrezikon mbylljen për shkak të mungesës së kuadrove profesionale