COVID19 - Ilustrim - KALLXO

26 raste aktive me COVID-19 në Obiliq, sonte priten rezultatet e dy mostrave

Pandemia COVID-19 ka prekur edhe komunën e Obiliqit.

Nga rezultatet e publikuara mbrëmë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik  në këtë komunë janë nëntë persona pozitiv me coronavirus.

Ndërsa, sonte priten rezultatet e dy personave të tjerë të testuar. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Vlora Kabashi.

“Sot i kemi dy mostra dhe priten rezultatet sonte”, deklaroi ajo.

Nëntë personat që rezultuan pozitiv Kabashi potencoi se kanë qenë në vetizolim që nga 8 qershori, si dhe testimi i tyre është bërë të hënën.

“Ndërsa këta që rezultuan pozitiv (mbrëmë) janë që nga data tetë qershor janë në vetizolim. Mostrat janë marrë ditën e hënë dhe dje kanë dalë rezultatet”, shtoi tutje.

Fatmirësisht, gjendja e tyre është e mirë dhe të gjithë janë në shtëpitë e tyre, gjithashtu janë furnizuar edhe me pako ushqimore, tregon tutje ajo.

“Jo, nuk kemi persona të hospitalizuar nuk kemi persona me okigjeno – terapi, qëndrojnë në shtëpitë e tyre kontaktohen çdo ditë, në disa raste i kemi furnizu me pako ushqimore – higjienike por, edhe nëse kanë pas nevoj për barna QKMF e Obiliqit i ka siguru terapinë”, tha Kabashi.

Ajo shtoi se të gjitha rastet e kontakteve i kanë gjurmuar.

Tutje, drejtoresha theksoi se që nga dita e parë kur është shfaqur rasti i parë me COVID-19 në Obiliq e deri më sot janë marr 80 mostra, ku 28 prej tyre kanë dal pozitiv dhe dy janë shëruar.

“Që nga dita e parë deri më sot në komunë e Obiliqit janë marr 80 mostra, ku 28 prej tyre me këto raste të fundit kanë rezultuar pozitiv, ndërsa 26 i kemi raste aktive dhe dy të shëruar”, u shpreh ajo.

Tash e tre muaj që nga dita kur u shfaq rasti i parë me COVID-19 në nivel vendi janë infektuar 1756, janë shëruar 968 persona si dhe ndërruan jetë 34 qytetarë.

Sipas IKShPK, të gjithë personat e vdekur patën edhe sëmundje të tjera shoqëruese.