20 vjet nga vrasja e Arkanit: Hajdut në luftë, hajdut në paqe

Vrasja 20 vjet më parë e kreut paraushtarak famëkeq Zhelko Razhnatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, nënkupton se ai nuk doli kurrë në gjyq për krime lufte dhe, dy dekada më vonë, është gjykuar vetëm një nga anëtarët e Tigrave të tij të tmerrshëm.

 

Më 15 janar 2000, Zhelko Razhnatoviq ishte duke pirë diçka më miqtë e tij në hotelin InterContinental në Beograd, kur një burrë shkoi drejt tyre dhe hapi zjarr në distancë të afërt me një pistoletë gjysmë automatike.

Razhnatoviqi – i njohur më mirë në të gjithë botën si lideri paraushtarak serb Arkani – u godit nga një plumb në sy dhe vdiq gjatë rrugës për në spital. Ai ishte 47 vjeç.

Një oficer i ri policie i quajtur Dobrosav Gavriq u dënua për vrasjen, por ai u largua nga Serbia dhe përfundoi në Afrikën e Jugut, ku aktualisht po lufton ekstradimin në Beograd.

Anëtarët e njësisë paraushtarake të kohës së luftës të Arkanit, Garda Vullnetare Serbe, e njohur më mirë si Tigrat, kryen krime që dyshohet se përfshinin vrasje, përdhunime dhe tortura gjatë konflikteve në Bosnje dhe Kroaci. Por deri më tani, vetëm një nga luftëtarët e tij, Boban Arsiq, është dënuar në mungesë në Kroaci.

Arkani u akuzua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë para vdekjes së tij, por pasi ai u vra, çështja u mbyll.

Hajdut në paqe, hajdut në luftë

Në vitet para luftës, Arkani ishte një hajdut që operonte si jashtë vendit ashtu edhe brenda Jugosllavisë dhe ishte në listën e kriminelëve më të kërkuar të Interpolit.

Rreth fillimit të konflikteve në Jugosllavi, ai u bë lideri i famshëm i klubit të tifozëve të Yllit të Kuq të Beogradit. Ai themeloi Gardën Vullnetare Serbe në vitin 1990.

Njësia paraushtarake, e cila u bë e njohur si Tigrat e Arkanit, ishte një forcë relativisht e vogël e përbërë nga tifozë nga grupi “ultras” Delije i Yllit të Kuq, si dhe kriminelë dhe vullnetarë të zakonshëm që admironin Razhnatoviqin. Shumë shpejt ky grup do të bëhej famëkeq për vrasjet, përdhunimet dhe torturat, por edhe për plaçkitjet dhe kontrabandën e mallrave nëpër zonat e luftës.

Faktet në lidhje me disa nga krimet që Arkani i kreu ose mori pjesë u përcaktuan në gjykimet e të pandehurve serbë dhe serbë të Bosnjës në Gjykatën e Hagës.

Gjatë këtyre gjyqeve, pati edhe dëshmitarë që dëshmuan për Arkanin, njësinë e tij apo krimet e tyre, dhe disa madje dhanë emrat e luftëtarëve dhe vendndodhjet e incidenteve. Por ende nuk ka asnjë aktakuzë që të përfshijë ndonjë prej tyre ose të përmendë Arkanin si një komandant që dha urdhra për kryerjen e krimeve.

Lidhja e tij e pretenduar me Shërbimin e Sigurimit të Shtetit të Serbisë, e cila do të vërtetonte se Serbia ishte përfshirë direkt në luftërat në Bosnje dhe Kroaci, është një nga çështjet në rigjykimin e dy prej oficerëve më të lartë të shërbimit, Jovica Stanisiq dhe Franko Simatoviq, i cili është ende në vazhdim e sipër në ICTY.

Ivana Zaniq, drejtoresha e OJQ-së Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd, tha se mendimi kryesor në shoqërinë serbe është se njësitë paraushtarake të kohës së luftës si ajo e Arkanit nuk ishin nën kontrollin e ushtrisë ose policisë serbe.

“Kjo nuk është e vërtetë. Të gjitha ato njësi ishin nën komandën e vetme të ushtrisë ose policisë”, këmbënguli Zaniq.

“Nëse do të ishte kryer ndonjë hetim, në krye të këtij zinxhiri komandues në shumicën e rasteve do të ishin gjeneralët e Ushtrisë Popullore Jugosllave, të cilët autoritetet serbe dhe Prokuroria e Krimeve të Luftës i kanë mbrojtur gjatë gjithë këtyre viteve që kur në Serbi ka pasur gjyqe për krime lufte”, tha ajo.

Aktakuzat përshkruajnë krimet e Tigrave

Aktakuzat e ngritura nga Gjykata e Hagës kanë thënë se Arkani dhe luftëtarët e tij ishin aktivë në disa vende në Kroaci dhe Bosnje gjatë luftërave nga viti 1991 deri në 1995. Sipas aktakuzës në çështjen kundër Stanishiqit dhe Simatoviqit, në periudhën nga shtatori deri në dhjetor 1991, forcat serbe në Kroaci, përfshirë Gardën Vullnetare Serbe të Arkanit, vranë 61 njerëz, kryesisht në fshatin Dalj.

Aktakuza pretendon se Arkani ishte pjesë e një sipërmarrje të përbashkët kriminale, së bashku me drejtuesit më të shquar serbë në Kroaci, Bosnjë dhe Serbi, qëllimi i së cilës ishte “largimi me forcë dhe i përhershëm i shumicës së jo-serbëve, kryesisht kroatëve, myslimanëve boshnjakë dhe kroatëve të Bosnjës, nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Aktakuza gjithashtu e vendos Arkanin në Zvornik në Bosnje në prill 1992, kur gjatë sulmit ndaj qytetit, “forcat serbe, sidomos Zhelko Razhnatoviq dhe anëtarët e Gardës Vullnetare Serbe të Arkanit” vranë afërsisht 20 civilë jo-serbë.

Krimet për të cilat u akuzua vetë Arkani ndodhën në Sanski Most në Bosnjë. Aktakuza ndaj Arkanit, e ngritur në 1997, vuri në dukje se gjatë dy ditëve në shtator 1995, Tigrat e tij vranë rreth 65 njerëz.

Në vendimin e ICTY për dënimin e ish-zyrtarëve serbë të Bosnjës Mico Stanishiq dhe Stojan Zhuplanin, dhoma e gjykimit e shkallës së parë e ICTY përcaktoi disa fakte për ndoshta krimin më të njohur që kryen Tigrat, në Bijeljina në pranverën e vitit 1992.

Konflikti në qytet midis serbëve dhe boshnjakëve filloi më 31 mars 1992, kur arritën burrat e Arkanit.

“Rreth 3 prillit 1992, gjithsej 48 trupa, përfshirë trupa grash dhe fëmijësh, u mblodhën nëpër rrugët dhe shtëpitë e qytetit; 45 prej këtyre viktimave ishin jo-serbë dhe asnjë nuk kishte veshur uniforma. Shumica e të vdekurve ishin qëlluar në gjoks, gojë ose pjesën e pasme të kokës, disa në distancë të afërt”, thuhet në vendimin për Stanishiqin dhe Zhuplanin.

Një nga viktimat që i mbijetoi përballjes së tij me Arkanin ishte Jusuf Trbiq, një gazetar vendas në Bijeljina. Burrat e Arkanit e kapën atë në fillim të prillit 1992 dhe gjatë disa orëve të ardhshme, gjatë natës deri në agim, ai u rrah dhe u torturua, ndonjëherë në prani edhe të vetë Arkanit.

“Ata e dinin se çfarë po bënin”, tha Trbic për BIRN në 2014. “Nuk kisha asnjë milimetër lëkurë të bardhë. Ishte e gjitha e zezë dhe blu.”

Shumica e detajeve për Arkanin dhe Tigrat e tij dolën gjatë gjyqit të Sllobodan Millosheviqit, kur dëshmoi një ish-punonjës administrativ i Gardës Vullnetare Serbe.

Dëshmitari i mbrojtur, i koduar me emrin B-129, foli për marrëdhëniet midis Gardës Vullnetare Serbe dhe Sigurimit të Shtetit Serb.

“Në seli kishte një rregull që kur një person nga Sigurimi i Shtetit do të vinte aty, ai nuk duhet të priste jashtë, por do të lejohej të hynte menjëherë në seli dhe do të shoqërohej në zyrën e komandantit”, tha dëshmitari B-129.

Dëshmitari sqaroi se Tigrat ishin të përfshirë në luftime në Treskavica në Bosnje në vitin 1994 dhe gjithashtu në Velika Kladusa, ku ata po ndihmonin liderin lokal boshnjak, Fikret Abdiç.

“E di me siguri se në Treskavica dhe Velika Kladusa ata nuk kishin stemat e Gardës Vullnetare Serbe, sepse iu kërkua që më parë t’i linin ato sepse nuk u lejohej t’i përdornin. Kjo do të thotë se në Velika Kladusa ata kishin stemat që përdoreshin nga ushtria e Fikret Abdiq”, tha B-129 në ICTY.

B-129 gjithashtu sqaroi se Tigrat morën pjesë në një operacion në Banja Llukë në Bosnjë në 1995, kur ata kryen krime në Sanski Most.

“Ky operacion filloi në shtator, në fillim të shtatorit 1995. Kur them ‘operacioni në Banja Luka’, e kam fjalën për në Sanski Most, Mrkonjic Grad, Kljuc dhe Prijedor. Në atë operacion morën pjesë rreth 200 Tigra dhe vetë Arkani ishte gjithashtu atje”, shpjegoi dëshmitari.

“Askush s’do të gjykohet ndonjëherë”

Në janar 2016, pasi mbaroi mandati i tij si kryeprokurori i krimeve të luftës i Serbisë, Vladimir Vukçeviq tha se kishte një para-hetim në vazhdim e sipër mbi Tigrat, njoftuan mediat serbe.

Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi tha për BIRN se çështja ishte iniciuar nga një kallëzim penal nga një palë e dëmtuar dhe se më 24 dhjetor 2015 filloi hetimin e një autori të panjohur.

“Çështja në fjalë është në fazën e procedurave hetimore, në fazën në të cilën po mblidhen provat. Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës po punon për të hedhur dritë mbi ngjarjet e ndodhura gjatë vitit 1992 në Bijeljina, Bosnje”, tha Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në një përgjigje për BIRN në lidhje me këtë rast.

Ajo shtoi se prokurorët “po punojnë për të përcaktuar identitetin e autorëve dhe po marrin të gjitha masat e nevojshme, siç janë marrja në pyetje e dëshmitarëve që kanë njohuri të ngjarjeve në fjalë”.

Filip Svarm, një gazetar për gazetën e përjavshme serbe Vreme, i cili e ka ndjekur nga afër Arkanin, tha se hapja e një çështje në lidhje me liderin paraushtarak në Serbi do të nënkuptonte trajtimin e çështjeve shumë të ndjeshme si rolet e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit dhe regjimit të Sllobodan Millosheviqit gjatë kohës së luftës.

“Në fakt, një numër i madh i personave që ishin në Gardën Vullnetare Serbe nuk janë më gjallë, shumë janë në burg. Por Arkani, për shkak të asaj që ai ishte dhe asaj që po bënte, ishte gjithmonë një person i sikletshëm me të cilin askush s’dëshironte të kishte të bënte”, tha Svarm për BIRN.

Në tetor 2011, Fondi për të Drejtën Humanitare paraqiti një kallëzim penal duke akuzuar më shumë se 30 persona – anëtarë të forcës së Mbrojtjes Territoriale dhe oficerë policie në fshatin kroat të Tenjës, anëtarë të Korpusit të Novi Sadit të Ushtrisë Popullore Jugosllave, anëtarë të shërbimeve sekrete ushtarake dhe civile dhe grupe nën komandën e Arkanit – për kryerjen e krimeve në Tenja gjatë kohës së luftës.

FDH pretendoi se ata ishin përgjegjës për ekzekutime masive të civilëve të paarmatosur, kroatët dhe jo-serbë të tjerë, dhe se nga korriku deri në nëntor 1991, ata vranë të paktën 29 njerëz.

Zyra e Prokurorit për Krime Lufte ngriti një aktakuzë në qershor 2012 për vrasjen e 19 prej këtyre 29 personave.

Ajo akuzoi Bozho Vidakoviqin dhe Zarko Çubrilon, të dy anëtarët e forcës së Mbrojtjes Territoriale në Tenja, por asnjë akt tjetër nuk u përmend në aktakuzë. Çubrilo më pas u lirua nga akuzat, ndërsa çështja ndaj Vidakoviqit u nda nga ajo e Çubrilos sepse ai kishte probleme shëndetësore, dhe vazhdon ende.

Dragan Pjevaq është një refugjat serb nga Kroacia i cili tani është avokat. Në vitin 1995, ai u arrestua në Beograd. Më pas policia e dërgoi atë në kampin e stërvitjes së Arkanit në Erdut në Kroaci, pas së cilës ai ishte luftëtar deri në fund të luftës.

Ai është një nga disa qindra njerëz nga Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina që u arrestuan në Serbi dhe u dërguan përsëri në zonat e luftës në vitet 1990. Pjevaq tha që ai pa njerëz të rriheshin dhe poshtëroheshin në kampin e Arkanit.

Ai nuk ka marrë kurrë ndonjë njohje apo kompensim në Serbi për atë që u detyrua të përjetonte.

“Në atë kohë ishte policia shtetërore. Të gjithë e dinë këtë. Ne ishim topi që ata shkelmonin as andej-këndej”, tha Pjevaq për BIRN.

“Askush nuk është gjykuar ndonjëherë dhe s’ka për t’u gjykuar kurrë.”