Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq

Historia e Errët e Shërbimit të Sigurimit të Serbisë

“Zotat e jetës dhe vdekjes” ishte një nga përshkrimet e njësive të kohës së luftës të drejtuara nga ish-shefat e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç, të dëgjuara gjatë gjykimit të tyre në gjykatën e krimeve të luftës të OKB-së në Hagë.

Stanisiç, ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë dhe të krahut të tij të djathtë Simatoviçit, ish-kreu i Njësisë së Shërbimit të Sigurimit për Operacione Speciale, u liruan nga akuzat dy vjet më parë për vrasje, persekutim dhe dëbim gjatë luftërave të viteve 1991-1995, por Gjykata e Hagës e rrëzoi këtë vendim ditën e martë dhe urdhëroi rigjykim të çështjes.

Ata akuzohen bashkë-autorë në një sipërmarrje të përbashkët kriminale qëllimi i të cilës ishte largimi me forcë dhe i përhershëm i shumicës së joserbëve nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Sipas aktakuzës, Stanisiç dhe Simatoviç ishin njerëzit kyç në krye të njësive të fshehta të sigurimit të cilat nuk ishin të autorizuara ligjërisht për të ndërmarrë operacione speciale ushtarake.

Gjatë ekzistencës së tyre nga viti 1991 deri në vitin 2003, këto njësi kishin emra të ndryshëm – Knidze (‘Ninxhat’ nga qyteti i Kninit), Skorpionët, Tigrat e Arkanit, Beretat e Kuqe dhe Njësitë e Operacioneve Speciale.

Në vitin 2013, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), zbuloi se njësitë kryen krimet e listuara në aktakuzë, por vendosi se Stanisiç dhe Simatoviç nuk mund të mbahen penalisht përgjegjës për to.

Një traditë operacionesh të fshehta

Stanisiç dhe Simatoviç janë shembuj të rrallë të ish-zyrtarëve që nxirren para gjyqit për vrasjet e kryera nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror serb dhe para këtij, nga agjencia e inteligjencës jugosllave.

Përdorimi i njësive të fshehta për të vrarë “armiq të shtetit” daton dekada më parë, që para rënies së Jugosllavisë.

Shërbimi i Sigurimit Shtetëror serb, gjithashtu i njohur si DB-ja, lindi nga shërbimi sekret jugosllav, njohur si UDBA dhe më vonë si SDB, i cili vepronte nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në shpërbërjen e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990.

Si Stanisiç ashtu edhe Simatoviç iu bashkuan SDB-së në vitet 1970, kur shërbimi u fokusua në eliminimi i disidentëve të mundimshëm dhe armiqve të tjerë të perceptuar si brenda dhe jashtë vendit.

Jugosllavia nën udhëheqjen e Josip Broz Titos ndoqi disidentë kudo në botë: në Austri, Britani, Belgjikë, Australi dhe SHBA. Megjithatë, fokusi kryesor për lidershipin e SDB-së ishte Gjermania Perëndimore.

Philip Gruell, krijues i një dokumentari të quajtur “Skuadrat e Vrasjeve të Titos”, thotë se shumica e urdhrave për vrasje vinin nga Beogradi, por viktimat ishin nga e gjithë ish-Jugosllavia.

“Sipas hulumtimit tonë, i sigurimit shtetëror jugosllav vrau të paktën 29 kroatë të mërguar në Gjermani. U vranë edhe disidentë nga ish-republikat e tjera jugosllave, për shembull, nga Serbia apo Shqipëria,” tha Gruell për BIRN.

Megjithatë, vetëm pak nga këta vrasës janë ndjekur penalisht.

“Kur pamë dosjet gjermane, dukej sikur hetuesit kishin bërë vetëm minimumin. Në shumë raste dosjet ishin mbyllur pas një kohe të shkurtër,” tha Gruell.

Një nga arsyet ishte insistimi i qeverisë gjermane në marrëdhënie të mira me Jugosllavinë, beson ai.

“Vendi ishte shumë i rëndësishëm për Gjermaninë si një partner dhe si ndërmjetës midis Lindjes dhe Perëndimit. Qeveria gjermane e dinte se shërbimi sekret jugosllav vriste në tokën gjermane. Por kjo nuk u diskutua kurrë në publik,” shpjegoi ai.

“Qeveria gjermane mund t’i kishte dënuar këto vepra, ata mund t’i kishin dëbuar diplomatët. Në vend të kësaj ata i dhanë Titos një medalje,” shtoi ai.

Gjermania priti për shumë se 30 vjet për të arrestuar zyrtarët e saj të parë jugosllavë të sigurimit të shtetit për disa prej këtyre vrasjeve.

Ish-agjentët e SDB-së Zdravko Mustaç dhe Josip Perkoviç u ekstraduan në Gjermani, me një urdhër-arresti evropian, menjëherë pasi Kroacia iu bashkua BE-së, të akuzuar si përgjegjës për vrasjen e disidentit kroat Stjepan Durekoviç në Mynih në vitin 1983. Vendimi për gjykimin e tyre pritet të merret vitin e ardhshëm.

Ndërsa vendoste agjentët e saj në ndjekjen e disidentëve në vitet 1980, SDB-ja rekrutoi edhe kriminelë për të kryer ekzekutime të ndryshme të saj jashtë vendit.

Disa prej këtyre njerëzve më vonë u bënë figura famëkeqe në luftërat e viteve 1990, midis tyre Zeljko Raznatoviç, i njohur më mirë si shefi paraushtarake Arkani.

Arkani ishte një kriminel i cili kaloi disa vite në burgjet nëpër Evropë, përfshirë në Gjermani. Ai u lidh ngushtë me sigurimin shtetëror dhe pastaj gjatë luftërave të viteve 1990 në Bosnjë dhe Kroaci u bë një kryekomandant i akuzuar për disa nga krimet më brutale të konfliktit.

Sipas Filip Svarm, redaktor i gazetës serbe Vreme dhe krijuesi i dokumentarit “Njësia”, Arkani dhe SDB-ja përfituan shumë nga lidhjet e tyre.

“Ai bënte shumë detyra të dyshimta për sigurimin e shtetit dhe në këmbim, ky i fundit e lejonte atë të kishte bizneset e tij private – të hapte kafene dhe disa dyqane në Beograd,” tha Svarm.

Vende të reja, metoda të vjetra

https://www.youtube.com/watch?v=x2nMQc-gWrI

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, e njëjta gjë ndodhi edhe me anëtarët e SDB-së – shumica prej tyre iu bashkuan shërbimeve të sapoformuara të sigurimit të shtetit në Serbi dhe Kroaci. Stanisiç dhe Simatoviç i qëndruan besnikë Beogradit, njësoj si edhe Arkani.

Në ditët e para të luftës, në mars të vitit 1991, presidenti jugosllav Sllobodan Milosheviç tha: “Qeveria ka për detyrë të përgatisë grupe shtesë, të cilat do të na bëjnë të sigurt dhe do të na mundësojnë të mborjmë interesat e republikës sonë, por edhe interesat e serbëve jashtë Serbisë.”

Millosheviçi ia dha detyrën e formimit të njësive të policisë sekrete agjentëve me përvojë të inteligjencës. Në vitin 1991, Stanisiç, në atë kohë kreu i DB-së, e cila ishte krijuar nga ata që kishin mbetur nga SDB-ja jugosllave, shkoi në Kroaci për të ndihmuar serbët vendas të ngrinin milicitë speciale.

Njësia e parë aktive ishte Knindze, më pas u krijuan Skorpionët, u ndoqën nga Garda Vullnetare Serbe e Arkanit, ‘Tigrat’. Pothuajse të gjithë luftëtarë e këtyre njësive mbanin beretë të kuqe, e cila më vonë u bë simbol i njësisë së vetme që DB-ja pranoi se kishte nën kontroll, Njësisë Speciale të Policisë, JSO-ja.

Stanisiç dhe Simatoviç mohuan të kenë pasur nën kontroll Knindzet, Skorpionët apo njerëzit e Arkanit. Por Christian Nielsen, një profesor i asociuar në Universitetin Aarhus, i cili ka dëshmuar si dëshmitar ekspert në ICTY, thotë se bashkëpunimi midis njësisë së Arkanit dhe zyrtarëve të sigurimit serb ishte shumë i afërt.

“Njësia e Arkanit ishte nga të gjitha anët një njësi e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, MUP-it. Nëse MUP do ta kishte kundërshtuar Arkanin, njësia thjesht s’do të kishte mundur të ekzistonte. Ushtria, nga ana tjetër, kishte një marrëdhënie shumë të paqartë dhe ndonjëherë armiqësore me njësitë e Arkanit,” tha Nielsen për BIRN.

Sipas Svarm, për sigurimin e shtetit ishte e rëndësishme “që Arkani të shkojë në disa zona dhe në kuptimin më të gjerë të mundshëm, të përmbushte politikën e Sllobodan Millosheviçit”.

“Askujt nuk i interesonte ajo që bënte Arkani në fushë dhe nuk kishte ndonjë mekanizëm për ta kontrolluar atë,” tha ai.

ICTY-ja vendosi në vitin 2013 se Stanisiç dhe Simatoviç i ndihmuan njësitë, përfshirë atë të Arkanit, por “kjo ndihmë nuk ishte drejtuar në mënyrë specifike drejt kryerjes së krimeve”.

Asnjë nga njerëzit e Arkanit nuk u ndoq penalisht ndonjëherë për krime lufte në ish-Jugosllavi, dhe lideri i tyre u vra në Beograd në vitin 2001. Vetëm një pjesë të vogël të Skorpionsave u soll para gjykatës.

I vetmi komandant i sigurimit të shtetit që u ndoq penalisht, përveç Stanisiçit dhe Simatoviçit, është Dragan Vasiljkoviç, ish-kreu i njësisë Knindze, i cili aktualisht është në paraburgim në pritje të gjyqit të tij për krime lufte në Kroaci.

Lufta e parë publike e sigurimit të shtetit

Milorad Ulemek - Legija
Milorad Ulemek – Legija

Kur luftërat në Kroaci dhe Bosnje përfunduan, administrata e Millosheviçit vendosi se njerëzit që luftuan me këto njësi elitë duhet të mbeteshin pjesë e aparatit shtetëror.

Simatoviç në vitin 1996 njoftoi zyrtarisht se Njësia e Operacioneve Speciale të Serbisë, JSO, ishte themeluar, por ai pranoi se në fakt ajo kishte nisur pesë vjet më parë.

“Njësia u formua në maj të vitit 1991, kur Jugosllavia po shpërbëhej dhe nga themelimi i saj, njësia funksionoi si një mjet për ruajtjen e sigurisë kombëtare të popullit serb në të gjitha zonat e tyre etnike,” tha ai.

Megjithatë, në vitin 1998, Stanisiç u hoq nga posti i tij si shef i sigurimit të shtetit. Pas përfundimit të luftës në Bosnjë, në Beograd shpërthyen protestat kundër Millosheviçit dhe Stanisiçi u takua disa herë me liderët e opozitës, duke ngritur kështu dyshime për besnikërinë e tij.

Millosheviçi gjithashtu dyshonte se Stanisiç kishte lidhje me shërbimet e huaja sekrete, përfshi CIA-n, sepse ai pranoi që komuniteti ndërkombëtar të përfshihej në konfliktin në Kosovë.

Si rezultat, Stanisiç u shkarkua nga puna, dhe Millosheviçi emëroi Rade Markoviçin si kreun e DB-së.

Lufta në Kosovë ishte konflikti i parë në të cilën DB-sa dhe JSO-ja morën pjesë haptazi.

“Ndryshe nga luftërat në Bosnjë dhe Kroaci, Serbia nuk kishte pse t’i fshihte ato në luftën në Kosovë. Prandaj Millosheviçi dërgoi JSO-në, një njësi ligjore të DB-së, të merrte pjesë në luftën në Kosovvë, dhe pjesë e kësaj njësie ishin gjithashtu ish-anëtarë të njësive të Arkanit,” shpjegoi Svarm.

Millosheviçi formoi një skuadër të posaçme anti-terror duke përdorur njerëz nga policia dhe ushtria për të luftuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Një figurë kryesore midis tyre ishte një nga komandantët e JSO-së, një luftëtar me përvojë në Bosnje dhe Kroaci i quajtur Milorad Ulemek, i cili njihej si Legija.

Në gjyqin e Millosheviçit në ICTY, Legija dhe njësia e tij mendohet të kenë kryer krime të shumta lufte gjatë konfliktit të Kosovës.

Gjatë të njëjtit gjyq, DB-ja u pretendohet të ketë qenë e përfshirë në disa prej operacioneve të pastra të operacioneve të spastrimit për transportimin e trupave të shqiptarëve të vrarë të Kosovës në varret masive në Serbi.

Millosheviçi vdiq gjatë gjyqit të tij në vitin 2006 dhe gjykatat vendore në Beograd asnjëherë nuk kanë guxuar të vënë në pikëpyetje rolin e DB-së në Kosovë.

Një epokë e re për sigurimin e shtetit

DB-ja i dha fund historisë së saj në vitin 2002, menjëherë pas ndryshimeve demokratike që rrëzuan Millosheviçin nga pushteti.

U vendos që DB-ja duhej të shpërbëhej dhe shefi i saj Rade Markoviç u nxor në gjyq për vrasje.

Në të njëjtin vit, Serbia formoi Agjencinë e Shërbimit Informativ. Shumë nga stafi i DB-së mbetën aktivë në agjencinë e re ose u sistemuan në organe të tjera shtetërore.

JSO-ja megjithatë ekzistoi deri në vitin 2003, kur ajo u shpërbë për shkak se shumë nga anëtarët e saj, përfshirë Legija, ishin të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e kryeministrit serb Zoran Djindjiç.

Të njëjtin vit, ICTY-ja ngriti një aktakuzë kundër Stanisiçit dhe Simatoviçit, duke i akuzuar ata për vrasje, persekutim në baza politike, racore dhe fetare, dëbim dhe vepra çnjerëzore.

Në rrjedhën e 15 viteve që nga rrëzimi i Millosheviçit, disa anëtarë të DB-së kanë dalë në gjyq për vrasje politike pas vitit 1999, por jo për krime lufte.

Legija u dënua me 40 vjet burg për rolin e tij në vrasjen e Djindjiçit, ndërsa ish-shefi i DB-së Markoviçi aktualisht po vuan dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliç dhe krime të tjera.

Markoviç dhe tre anëtarë të tjerë të DB-së janë gjithashtu në gjyq për vrasjen e gazetarit dhe kundërshtarit të Millosheviçit, Slavko Curuvija në vitin 1999.

Gjyqi, i cili konsiderohet si tepër i rëndësishëm për të kuptuar rolin që luanin shërbimet e sigurimit në Serbi, së fundmi është penguar nga një kërkesë nga Agjencia Informative Shtetërore për të mos lejuar disa ish-zyrtarë të DB-së të dëshmojnë. Agjencia u shpreh “se dëshmitë e tyre mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare të Serbisë”.

Ndërkohë, të gjitha arkivat e SDB-së jugosllave dhe DB-së serbe mbeten ende të mbyllura, ndërsa qeveria pretendon se ende nuk është e gatshme të merret me pasojat e hapjes së dosjeve, duke ngritur spekulime mbi sekretet e errëta që mund të fshihen ende në to.