Dëshmitari: Arkani qëlloi të burgosurin në kokë

Një dëshmitar tha në gjyqin e ish-zyrtarëve të sigurimit serb të shtetit Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq se ai pa Zelko Razhnatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, të qëllonte në kokë një rob në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1995.

Një dëshmitar i mbrojtur i akuzës i koduar me emrin RFJ-129 tha në rigjykimin e Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë të martën se ai pa kreun paraushtarak serb Arkan të vriste një njeri nga hakmarrja.

“Pas vdekjes së njërit prej togerëve të Arkanit, u sollën robër. E pashë Arkanin të merrte një pistoletë dhe të qëllonte njërin prej tyre në ballë. Një nga burrat e Arkanit qëlloi një rob tjetër dhe e qëlloi në shpinë me thikë pasi i gjeti një bajonetë,” tha dëshmitari RFJ-120.

Dëshmitari tha se ai ishte i detyruar të punonte me njësinë paraushtarake të Razhnatoviqit, Tigrat, Kroaci dhe Beograd, si dhe në Bosnje dhe Hercegovinë nga viti 1995 deri në 1997.

Ai tha se dëgjoi nga anëtarët e Tigrave se kishin vrarë dhe dëbuar boshnjakët dhe kroatët nga vende të ndryshme në Kroaci dhe Bosnjë, si Vukovari dhe Zvorniku, që nga viti 1991.

“Ushtarët më thanë, pasi pinë alkool, se ata kryen krime të mëdha dhe dëbuan kroatët nga Vukovari dhe kryen vrasje masive dhe rrahje në Bijeljina dhe Zvornik,” dëshmoi RFJ-129.

Ai gjithashtu tha se në mars të vitit 1996, burrat e Arkanit e çuan atë në një pus pranë bazës së Tigrave në Erdut në zonën e Sllavonisë Lindore të Kroacisë dhe i thanë që ta mbushnin dhe ta kamuflonin atë sepse ishte një varr masiv i viktimave nga Vukovari.

“Dëgjova se këtë e kishin bërë njerëzit e Arkanit, se ata njerëz ishin vrarë në atë vend dhe se kjo s’duhej të vihej re. Kështu ne e mbuluam atë me degë dhe dhé,” tha ai.

Ndërsa në bazën në Erdut, ku ai punonte nga tetori 1995, dëshmitari dëgjoi për një vizitë nga Simatoviqi nga disa njerëz që porositën të përgatitej ushqim special për zyrtarin e sigurisë të Beogradit. Megjithatë, ai nuk e pa personalisht Simatoviqin.

Sipas akuzave, Stanishiq, ish-shefi i SDB-së serbe dhe ish-ndihmësi i tij Simatoviq ishin protagonistë në një sipërmarrje të përbashkët kriminale të udhëhequr nga Millosheviqi, që synonte largimin e përhershëm dhe me forcë të boshnjakëve dhe kroatëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës për të arritur dominimin serb.

Stanishiq dhe Simatoviq akuzohen për persekutim, vrasje dhe dëbime në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat sipas akuzave u kryen nga anëtarë të paraushtarakëve të Arkanit dhe njësisë “Beretat e Kuqe”, të cilat prokuroria pretendon se kontrolloheshin nga SDB-ja serbe.

Stanishiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit 2015 pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata e apelit vendosi se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanishiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.