​Arrestohen dy policë të dyshuar për keqtrajtimin e një të mituri

Janë arrestuar dy zyrtarë policorë të dyshuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

“Policia e Kosovës më 17 korrik 2020 kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet  e një qytetari (të mitur – 16 vjeçar) për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur më 17 korrik në Pejë”, thuhet në njoftim e IPK-së.

Bazuar në kompetencat ligjore rasti është përcjellë për trajtim në Inspektoratin Policor të Kosovës respektivisht në Departamentin e Hetimeve të IPK-së.

“Hetuesit e IPK-së pas pranimit të rastit menjëherë janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast që kanë përfshirë marrjen e deklaratave nga dëshmitarët okular si dhe sigurimin e disa video incizimeve”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Pas veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dje në orët e mbrëmjes dy zyrtarët policorë në Pejë që ishin të përfshirë si të dyshuar në këtë incident.

Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor” kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra.

Njëri nga zyrtarët policorë tashmë të arrestuar është i dyshuar edhe për kanosje ndaj një dëshmitari të këtij incidenti.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, ka njoftuar IPK.