Shfaqja ‘Tartufi’ jepet të hënën premierë në Teatrin e Gjilanit

Shfaqja “Tartufi” e Molierit, me regji të Qëndrim Rijanit jepet të hënën në ora 20:00, premierë në Teatrin e Qytetit në Gjilan.

Shfaqja synon të sjellë një perspektivë të freskët dhe bashkëkohore të dramës së komedianit francez, Jean Baptiste Poquelin – Moliere.

“Duke hapur dritë mbi interpretimin e ri që krijon lidhje me realitetin tonë të sotëm, regjia e Qendrim Rijanit do të sjellë një gërshetim të bashkëkohores dhe vlerave klasike, duke e bërë ‘Tartufin’ një eksperiencë teatrale në vete. Kjo shfaqje do të jetë një udhëtim emocionues në një botë të humorit, hipokrizisë dhe konflikteve të përhershme shoqërore”- thuhet ndër të tjerash në njoftimin e Teatrit të Gjilanit.

Në shfaqje luajnë: Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Aurita Agushi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani, Flaka Latifi, Avni Shkodra, Mejreme Berisha, Alban Shahiqi, Florent Salihu.