Shënohet Dita Kombëtare e Francës, nderohet arkeologu Arben Hajdari

Arkeologu Arben Hajdari është nderuar me Urdhrin e Palmave akademike nga ambasada e Francës në Kosovë.

Këtë urdhër arkeologu Hajdari e mori gjatë ceremonisë së Ditës Kombëtare të Francës, siç njihet ndryshe – Dita e Bastijës.

Për të shënuar 14 Korrikun, Ditën Kombëtare të Francës, ambasada e këtij shteti në Kosovë ka organizuar një aktivitet kulturor me ç ‘rast arkeologu Arben Hajdari është nderuar me Urdhrin Palmat akademike.

“Dorëzimi i Palmave Akademike është një nder që Franca u bën atyre që u shërbejnë vlerave të cilat vendi im i mbron pareshtur. Për më tepër, më 14 Korrik ky nderim merr një dimension edhe më të rëndësishëm”, ka thënë ndër të tjera ambasadorja franceze në Kosovë,  Marie Christine Butel.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe presidentja Vjosa Osmani.

“Është kënaqësi e veçantë që sot, në ditën e kombit tuaj, të mund të ju drejtohem me disa fjalë, për të shprehur urimet më të mira të qytetarëve të Kosovës për qytetarët e Francës”, ka thënë presidentja e Kosovës.

Po në kuadër të kësaj feste në mbrëmje është shfaqur edhe filmi “La Reine Blanche” me regji të Jean-Loup Hubert dhe Catherine Deneuve në rolin kryesor.

 

Arben Hajdari. Foto:Facebook/Arben Hajdari