Promovohet libri për Hasan Ferrin, kujtohet heroi i harruar

Institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe ato të Kosovës duhet t’i shpallin heronj të kombit Jakup dhe Hasan Ferrin.

Këtyre dy figurave të lëna në harresë duhet t’ju njihen meritat dhe të zënë vendim e merituar përkrah heronjve shqiptarë.

Kështu kanë thënë studiues dhe historianë gjatë promovimit të librit “Hasan Jakup Ferri – një jetë për atdhe” të studiuesit Ramiz Abdyli, që u mbajt sot në Bibliotekën Kombëtar “Pjetë Bogdani” në Prishtinë.

Monografia “Hasan Jakup Ferri – një jetë për atdhe” e Ramiz Abdyli nga studiuesit është konsideruar si një kontribut me vlerë për ndriçimin e kontributit patriotik të Hasan Ferrit.

Ramiz Abdyli, autori i monografisë ka pohuar se institucionet duhet të nderojnë figurën e Jakup dhe Hasan Ferrit, babë e birë, për kontributin që kanë dhënë për çështjen kombëtare.

“Jakup dhe Hasan Ferri duhet të nderohen për kontributin e tyre, edhe nga qeveria e Kosovës edhe nga ajo e Shqipërisë, pasi deri më tani nuk e kanë bërë”, ka thënë Abdyli.

Kurse historiani Fehari Ramadani, ka thënë në fjalën e tij, se monografia sjell fakte me rëndësi për të njohur kontributin e heroit Ferri.

“Përmes kërkimeve dhe hulumtimeve të thella autori ka arritur të sjellë një libër me mjaft vlera për historiografinë shqiptare’, ka thënë Ramadani.

Edhe historiani Fitim Rifati ka veçuar rëndësinë historike që ka vepra sidomos për zbardhjen e një periudhe të caktuar pjesë e së cilës ishte edhe Hasan Ferri.

“Përmes kësaj vepre dokumentohet personaliteti atdhetar i Hasan Ferrit dhe ngjarjet që e kanë karakterizuar Plavën e Gucinë gjatë viteve 1878-1924”, ka thënë historiani Rifati.

Ndërsa, Naser Ferri përfaqësues i familjes Ferri ka pohuar se institucionet e dy shteteve shqiptare të nderojnë dy heronjtë e kombit.

“Ky promovim përkon edhe me 140 vjetorin e luftës së Nokshiqit dhe fitores historike të shqiptarëve. Jakup dhe Hasan Ferri duhet të nderohen për kontributi që dhanë, ndërsa një rrugë në qytetin e Plavës duhet të mbajë emrin e tyre”, ka thënë Ferri.