FOTO: ASHAK

Promovohet monografia për piktorin akademik Xhevdet Xhafën

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka promovuar sot monografinë për anëtarin e saj korrespondent, piktorin Xhevdet Xhafa.

Monografia për piktorin akademik Xhevdet Xhafën është shkruar nga studiuesja e artit Suzana Varavica. Ceremonia e promovimit të kësaj monografie është mbajtur në ASHAK.

Studiuesja Varavica, gjatë fjalës së saj, ka thënë se krijimtaria e piktorit Xhafa është bashkërrugëtuese e gjithë historisë së bashkëkombëseve të tij.

“Xhafa është një artist delikat me thellësi konceptuale në mendimin e tij. Punimet e tij janë të lidhura pandashmërisht me vendlindjen, tokën dhe vuajtjet e bashkëkombëseve”, ka thënë ndër të tjerash Varavica.

Akademik Luan Mulliqi ka thënë se Xhafa është njëri ndër pionierët e pikturës kosovare.

“Xhafa, gjithnjë modern, ekspozues, për më shumë se 60 vjet ai krijoi një opus të madh të pikturave dhe instilacioneve të cilat u ekspozuar në shumë galeri e muze në vend dhe mbarë botës”, ka thënë ai.

Ndërsa, piktori Xhava ka thënë se në veprat e tij është gjithë historia e dhimbshme shqiptare.

“Unë jam në këto vepra, autobiografia ime, autobiografia shqiptare, që pati një histori të rëndë. Krijimtaria ime është e pastër dhe e sinqertë”, ka thënë Xhafa.

Monografia, Xhevdet Xhafa, e shkruar nga Suzana Varavica pasqyron jetën dhe krijimtarinë artistike të piktorit Xhafa.

Në kuadër të këtij promovimi është hapur edhe ekspozita me veprat e akademik Xhafës.